Maqedoni

Pendarovski: Ndonëse rimëkëmbja është e ngadaltë, parashikimi i përgjithshëm ekonomik është përmirësuar

Presidenti i Maqedonisë së Veriut foli në hapjen e pjesës së dytë të konferencës “Rimëkëmbja dhe rritja ekonomike pas COVID-it”, organizuar nga Ministria e Financave
Edıta Zekjırovıkj

“Rruga drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian është prioritet, sepse për vlerat dhe parimet evropiane në të cilat bazohet tregu i përbashkët evropian, nuk ka alternativë më të mirë për ne”, tha Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV), Stevo Pendarovski raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti këtë e theksoi në hapjen e pjesës së dytë të konferencës “Rimëkëmbja dhe rritja ekonomike pas COVID-it”, organizuar nga Ministria e Financave.

“Ekonomia globale është ende e brishtë, ndërsa sfidat janë të mëdha, ndryshe nga viti i kaluar, parashikimi i përgjithshëm ekonomik është përmirësuar, ndonëse rimëkëmbja siç pritej është e ngadaltë. Ekonomia jonë nuk bën përjashtim nga trendet botërore, në marrjen e të gjitha masave për të mbrojtur popullsinë, qëllimi parësor ishte të minimizonin humbjet në ekonomi dhe të ndihmonin sektorët më të cenueshëm, natyrisht sa më shumë ishte e mundur në ato kushte”, tha Pendarovski.

Sipas tij, humbjet janë të mëdha dhe do të duhet kohë për rimëkëmbjen e ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, e cila edhe para pandemisë nuk ishte në gjendje të lakmueshme.

“Ajo që është e rëndësishme është se ne tashmë kemi informacion dhe analiza të mjaftueshme për të vlerësuar se cilat vendime ishin të gabuara dhe nuk duhet të përsëriten dhe cilat prodhuan efekte pozitive. Para fillimit të pandemisë, vendi ynë u bë anëtar i plotë i aleancës së NATO-s, e cila përveç komponentit të sigurisë, në planin afatmesëm dhe afatgjatë, presim që të rezultojë në një stabilitet dhe parashikueshmëri më të madhe ekonomike, rritjen e besimit nga partnerët ndërkombëtarë dhe hapjen e perspektivave të reja në sferën e investimeve”, deklaroi Pendarovski.

Në hapje u adresua edhe kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, i cili beson se përmes shkëmbimit të ideve në konferencë do të kontribuohet në përmirësimin e koherencës së politikave dhe forcimin e procesit të planifikimit të buxhetit shtetëror dhe lokal.

Sipas tij, në kohë të tilla të vështira, një numër i madh i qytetarëve, institucioneve dhe kompanive që ushtrojnë veprimtari afariste pësojnë humbje, kështu që të gjithë së bashku duhet të përfshihen në gjetjen e zgjidhjeve optimale.

Në pjesën e dytë të konferencës, ashtu si në pjesën e parë, morën pjesë një numër i madh i ministrave të RMV-së, përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare, ekspertë në fushën e ekonomisë nga RMV dhe vendet e rajonit.

Në vazhdimin e sotëm të konferencës, u diskutuan tema që synojnë të kontribuojnë në përmirësimin e situatës ekonomike pas krizës së shkaktuar nga COVID-19 dhe u ndanë në tre panele diskutime, ndërsa ato janë investimet publike dhe private dhe konkurrueshmëria, ekonomia e zgjuar dhe e gjelbër, kapitali njerëzor dhe rritja gjithëpërfshirëse.