Maqedoni

AlternAtivA – Dega Kumanovë: Po rrënohet arsimi shqip në Kumanovë (VIDEO)

Viti shkollor 2021/2022 po i gjen nxënësit shqiptarë të shkollave të mesme “Sami Frashëri” dhe “Nace Bugjoni” në kushte të mjerueshme dhe jo adekuate – me objekt të papërshtatshëm, që nuk është i dedikuar për zhvillimin e procesit edukativo-arsimor. Këtu na duhet t’ua kujtojmë qytetarëve se zgjidhja e këtij problemi u premtua në fushatën e zgjedhjeve lokale të vitit 2017 nga kryetari aktual i komunës dhe partia e tij, LSDM, por edhe nga partneri i saj, BDI, të cilët për vite me radhë kanë udhëhequr me Ministrinë e Arsimit e Shkencës, madje një kuadër i kësaj partie ka qenë kumanovar. Sidoqoftë, faktet flasin se të gjitha ato premtime kanë qenë një gënjeshtër e radhës si edhe shumë gënjeshtra të tjera që ata i kanë shqiptuar pa skuqur. Përveç problemit me objektin e shkollave të mesme, gjendja e arsimit shqip në Kumanovë në përgjithësi po vështirësohet dhe rrezikohet, siç është edhe problemi me paralelet në gjuhën shqipe, disa prej të cilave rrezikohet edhe të shuhen, kjo për shkak të neglizhencës dhe paaftësisë së personave përgjegjës. Megjithatë, problemet e arsimit shqip në Kumanovë nuk kanë fund. Një problem tjetër, që pa dyshim është dëm i madh është partizimi i shkollave fillore dhe të mesme. Siç është tashmë evidente, gjatë këtij 4-vjeçari qeverisës ajo që mund të vërehet është se partia maqedonase, LSDM, dhe ajo shqipfolëse, BDI, i kanë futur duart thellë në shkollat shqipe dhe me presionin që e ushtrojnë arsimin shqip e dërgojnë drejt ngulfatjes. Pavarësisht nga kjo, arsimi shqip do të jetë prioritet dhe shtyllë e programit të koalicionit AAA dhe ASH për 4 vitet e ardhshme dhe ne do të bëjmë të pamundurën për përmirësimin e kushteve mësimore, për zgjidhjen e problemeve fizike të shkollave dhe për depolitizimin e arsimit. Duke qenë këtu shfrytëzojmë rastin që t’ua urojmë nxënësve fillimin e vitit shkollor, me shpresën se vitet e ardhshme do t’i fillojnë shumë më mirë se këtë vit. Po ashtu bëjmë thirrje për respektimin e protokolleve për mbrojtje nga virusi COVID 19, aq më shumë që ky vit po fillon në një pik të pandemisë dhe me një pakujdesi dhe dështim tjetër të autoriteteve qeveritare dhe komunale.