Maqedoni

Kryetarja Arifi premtoi se në vjeshtë do ta pastrojnë lumin “Shkumbin”

Shtrati i lumit Shkumbin në Tetovë është i mbushur me mbeturina. Qytetarët e pandërgjegjshëm, pos mbeturinave të amvisërive kanë hedhur edhe mbeturina ndërtimore, orendi shtëpiake dhe shumë të tjera. Pavarësisht premtimeve të autoriteteve lokale, lumi vazhdon të jetë i mbushur me mbeturina, sidomos në pjesën e Lagjes Dardania. Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi për Portalb.mk tha se punimet do të fillojnë shumë shpejt, pa dhënë afat kohor.

Rregullimi i shtratit të Lumit Shkumbin është një prej premtimeve të parealizuara të kryetares aktuale të Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, të cilës i përfundon mandati edhe një muaj e gjysmë. Lumi këto dy muajt e fundit që Portalb.mk e ka ndjekur rastin ka qenë i stërngarkuar me mbeturina, gjegjësisht në pjesën e Lagjes Dardania.

E pyetur për këtë nga Portalb.mk, Arifi tha se në fillim të çdo vjeshte Komuna e Tetovës e bën pastrimin e shtratit të Lumit Shkumbin dhe jo vetëm, por edhe të lumenjve tjerë më të vogël, dhe se të njëjtën do ta bëjnë edhe këtë fillim vjeshte.

“Për fat të keq në çdo pastrim vjetor që bëhet, nga lumi nxirren mbetje të ndryshme. Normalisht që Komuna e Tetovës por edhe institucionet tjera kanë inspektorët që merren me këto çështje po nuk ka inspektor që munden ta mbrojnë vendin nga vetja jonë, prandaj edhe bashkërisht të gjithë të angazhohemi dhe të kujdesemi për sa i përket pastërtisë së lumenjve tanë edhe vendeve tona se ata janë tonat nuk janë të askujt tjetër”, tha Arifi për Portalb.mk.

E pyetur se kur do të fillojnë punimet për rregullimin e shtratit të lumit Shkumbin si në pjesën e sipërme të qytetit, Arifi tha se shumë shpejtë, pa dhënë detaje.

“Ajo është një program që po ashtu sikurse bulevardin Bllagoja Toska e fituam me kompaninë TAV, edhe aty jemi në përgatitje për të filluar punimet. Është një projekt shumë i bukur dhe besoj që do të jetë një mundësi shumë e mirë për qytetarët”, tha Arifi.

⁠Gazetari i Portalb: A keni afat se kur do të fillojnë punimet?
Teuta Arifi: Shumë shpejtë.