Nëntë persona kanë ndërruar jetë në Tetovë vetëm në 24 orët e fundit
Situata me të prekurit nga kovidi në urgjencën e Gostivarit sot paraqitet tejet e rëndë. Sipas televizionit Kanal5, vetëm në Tetovë në 24 orët e fundit kanë ndërruar jetë 9 persona.
Në asnjë repart të kthyer në kovid nuk ka shtretër të lirë, ndërkohë që numri i atyre që kanë nevojë për trajtim spitalor rritet nga çasti në çast. Nuk ka as personel mjekësor të mjaftueshëm e as oksigjen. Mjekët e infektives së Gostivarit, kërkojnë nga Ministria karantinim urgjent të qytetit.
24 orët e fundit është duke ndodhur një kaos i vërtetë. Reparti internist, ai neurologjik i mbushur, modularja e mbushur, këtu me përkrahje oksigjeni është mbushur. Na vinë pacientë që kanë nevojë për oksigjen ne nuk kemi oksigjen nuk kemi vende të lira pra situata është total jashtë kontrollit. Kam një kërkesë te organet kompetente, flas nga terreni të bëhet sa më shpejtë karantina që të shpëtohen ata që nuk janë të infektuar”, tha Nedim Saliu, Klinika infektive, Gostivar.
Situatë e njëjtë mbizotëron edhe në Tetovë. Vetëm ditën e djeshme kanë ndërruar jetë 9 pacientë të prekur me kovid, ndërsa shifrat e të shtrirëve dhe të të pranuarve, kanë shënuar kulmin.
Numri i të hospitalizuarve sot është 124 pavientë. Me rëndësi është të dini se prej këtyre, 13 pacientë janë që kanë pranuar dozën e parë të vaksinës ndërsa dozën e dytë vetëm 3 pacientë. Mbi 90 për qind të pacientëve janë nga të pavaksinuarit. Kemi një numër të madh të të vdekurve, pra 9 pacientë me sëmundje komorbide. Sa i përket pranimit, kemi pasur mbrëmë 18 pranime pra maksimumin e kemi arritur”, pohoi Gëzim Nuredini, kovid qendra e Tetovës.
Mbi 200 persona në Tetovë dhe mbi 100 në Gostivar testohen çdo ditë dhe mbi 90 për qind e tyre dalin pozitiv dhe janë pacientë potencial të ardhshëm.
Mbi 90 për qind dalin pozitiv, por nuk merren shumë parasysh këto numra por parametrat vitale siç është saturacioni i ulët dhe parametrat tjera të atyre që janë më rëndë të sëmurë”, tha Nedim Saliu, Klinika infektive, Gostivar.
Nga ana tjetër, në pikat e vaksinimit, edhe përkundër shtimit të pikave siç janë dy në Gostivar, dy nëpër fshatrat e Gostivar dhe po aq në Tetovë, turmat dhe pritjet s`kanë fund. Ditëve të fundit kanë filluar edhe rrahjet mes njerëzve për një termin vaksine.
“Që në mëngjes pres që në shtatë në mëngjes. Numra japin, unë jam numër 176. Pati edhe rrahje për numër për të marrë. Një i moshuar u godit nga një i ri”.
“Çka të bëjmë duhet rend të mbajë dikush askush nuk mban rendin. Rrinë brenda policët”.
Mjeku kujdestar i vaksinimit thotë se pika të reja janë hapur tre, por sërish interesimi mbetet i madh.
Punkte janë hapur edhe në shumë vende, vaksinime ka edhe në terren pra kush mundet është mirë t’i marrin nëpër fshatrat e tyre në pikat e vaksinimit kemi në Çegran, Vrapçisht dhe kemi çdo ditë edhe në fshatra të tjerë. Përpara kishim vetëm këtë punkt këtu por pamë se u rrit interesimi dhe hapëm pikën e dytë, që është nga ana tjetër”, tha mjeku Habil Dauti, përgjegjës i pikës për vaksinim në Gostivar.
Në dy javët e ardhshme, numrat e infektimeve me virusin korona pritet të rriten edhe më shumë, thonë mjekët, duke u bazuar në numrin e kontrolleve ambulatore dhe testimeve nga të cilët, qindra persona rezultojnë pozitiv.