Maqedoni

Gostivar, Memeti: Nuk ka vend më për pacientë, spitali është i stërngarkuar

Gostivari duhej të vendoset në karantinë pasi që spitali është i stërmbushur dhe nuk ka vend për pacientët që kërkojnë ndihmë mjekësore. Kështu tha specialisti i infektologjisë në spitalin e Gostivarit Enes Memeti, shkruan TV 21, transmeton Portalb.mk.

Sipas infektologut Enes Memeti, Gostivari duhej të vendosej në karantinë.

“Brenda kësaj periudhe ka pasur një gjendje të renduar edhe më vjen keq që qyteti i Gostivarit nuk ka një koordinim mes pushtetit lokal dhe ministrisë. Për mua i gjithë qyteti i Gostivarit është dashur të vendoset në karantinë. Momentalisht në repartin infektiv edhe në qendrën modulare ka 51 pacientë ku shumica e tyre, 33 pacientë janë me oksigjen terapi dhe janë në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa katër nga ata edhe kanë vdekur”, tha Enes Memeti.

Sipas Memetit gjendja e atyre që kërkojnë ndihmë është rënduar.

“Gjendja atyre që kërkojnë ndihmë është rënduar. Besomë nuk dimë edhe ne ku t’i vendosim, pasi që gjithë reparti është i stërmbushur me pacientë tepër të rënduar, me ulje të saturacionit, gjendje të rëndë shëndetësore, a gjithë kjo ka ardhur si rezultat i mos respektimit të masave që është dashur që ne si individ, si njerëz t’i respektojmë”, tha Memeti.

Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut informoi se në 24 orët e fundit nga 6.256 testime kanë rezultuar 1,158 persona të infektuar me Covid-19, 166 pacientë janë shëruar, ndërkaq 19 të tjerë kanë ndërruar jetë.

Në Tetovë ndërruan jetë gjashtë persona (54, 65, 74, 74, 79 dhe 84v), pesë nga Gostivari (66, 66, 67, 69 dhe 71v), tre nga Kumanova (54, 78 dhe 85v), një nga Shkupi (61), Strumica (54), Struga (60), Sveti Nikolla (83) dhe Vallandova (85).

Nga fillimi i pandemisë janë realizuar 1 086 075 testine, numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 165.684, të shëruarve 151.401, të vdekurve 5.608, ndërkaq për momentin ka 8.675 raste aktive.