Maqedoni

DMSH Maqedoni: Zjarret e qëllimshme vështirë të kontrollohen

Kreu i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Bekim Maksuti, thekson se situata me zjarret është qetësuar përveçse në rajonin e Komunës së Sarajt, ku zjarri rishfaqet çdo ditë. Sipas tij, është evidente se zjarret janë të qëllimshme dhe shkaktari kryesor është faktori njeri. Ai nënvizoi ndihmën e pakushtëzuar të Austrisë, Sllovenisë, Bullgarisë, Serbisë e kështu me radhë, në përballjen me zjarret.

“Më vështirë ditëve të fundit ka qenë në Komunën e Sarajit, mes fshatrave Bukoviq dhe Rakoviq. Bëhet fjalë për një terren mjaft të vështirë dhe aty veprojmë disa ditë dhe arrijmë deri diku brenda ditës që të shuajmë dhe vendosim në kontroll, kurse më pas të nesërmen shfaqet sërish në disa vende. Me siguri është faktori njeri në pyetje dhe do të duhet që të gjithë organet përgjegjëse të ndërmarrin masa që janë në suaza të ligjeve dhe të sanksionojnë këta vepra, që të mund të përballemi më mirë me këto situata”, deklaroi Maksuti.

Nga kjo drejtori theksojnë se zjarret e fundit që kapluan disa rajone të Maqedonisë së Veriut, ishin vështirë të kontrollueshme sepse krahas mungesës së pajisjeve për shuarjen e zjarrit, po ashtu u përballën edhe me erë që ndryshonte kahjen në çdo moment.

“Duhet që ngrisim vetëdijen individuale dhe më pastaj kolektive që çdo zjarr fillon nga një shkëndijë, nga një cigare dhe kjo është nga faktori njeri. Është vërtetë se kur kemi temperatura të larta, kur kemi rajone ku 60 ditë nuk ka pasur aspak reshje shiu, kur kemi erëra të fuqishme që në moment e ndërrojnë kahjen, është vështirë që të intervenohet. Edhe për miqtë tanë që na erdhën në ndihmë ishte një përvojë e re, zjarre që nuk kishin hasur në përvojën e tyre 50 vjeçare. Prandaj them se çdokush mund të jetë një hero, mund të jetë zjarrfikës nëse punohet në parandalimin e tyre dhe shuajmë zjarre të vogla dhe nuk lejojmë përhapjen e tyre”, theksoi drejtori Maksuti.

Krahas mungesës së pajisjeve për shuarjen e zjarreve, po ashtu zjarrfikësit në shumë qytete në vend janë duke u përballë me mungesë të mjeteve motorike të vogla për intervenim në terrene të vështira. Zjarret e fundit dëshmuan se kapacitetet në automjete janë problem në vete për njësitë e zjarrfikësve në tërë vendin. Nga kjo drejtori theksojnë se kanë në plan që të blejnë pajisje të reja.

“Ne kemi edhe plane për furnizime publike, buxhet që arkëtohet nga kompanitë e sigurimeve, si pjesë e përqindjes që duhet të ndajnë ndaj zjarreve. Këto pajisje blihen nga drejtoria dhe u shpërndahen njësive kundër zjarreve në të gjitha rajonet. Pas ngjarjes fatkeqe me autobusin në Llaskarcë është bërë analizë që të sigurohet pajisje për raste të tilla dhe një pajisje e tillë i është ndarë Njësisë së zjarrfikësve në Tetovë dhe më pas do të ndahen edhe për njësitë tjera në vend. Si komision do të duhet që të mblidhemi sërish dhe të shohim se çfarë nevojash kanë dhe çfarë mund të blejmë me mjetet që janë grumbulluar. Qëllimi ynë është që të sigurojmë mjete të vogla për në terrene të papërshtatshme të pajisura me pompa dhe pajisje tjera shtesë adekuate, që do të ndikojnë në shuarjen e zjarreve më mënyrë më efikase aty ku nuk mund të depërtohet me makineri tjetër”, nënvizoi ai.

Sipas tij, para se të fillonin zjarret, është dërguar një memorandum për bashkëpunim deri tek Ambasada e Austrisë dhe pritet përgjigje, që në të ardhmen përmes Bashkimit Evropian të krijohet mundësi bashkëpunimi, por edhe të kërkohen fonde për të ndërmarrë masa në aspektin strategjik, në këtë rast siç janë zjarret.