Grenell, ky ‘ujk’ i mjegullës, pse i sillet vërdallë Kosovës, prej Beligradi në Tiranë
Ramazan Bekteshi
Grenell është sozia e Presidentit Trump, ata të dy e zhgënjyen fort Amerikën me veprimet e tyre të çuditshme, dy veprime diletantësh që e armiqësuan Amerikën gati me tërë botën, por mbetën miq vetëm me Korenë Veriut, Rusinë dhe Serbinë. Ata, armiqësuan dhe e dogjën Amerikën me demonstrata masive, anti-raciale, ‘Black Lives Matter’ (BLM) , dhe më në fund ia vunë flakën edhe Kapitol Hill-it, dhe mu aty ranë që të dy.
Roli i Grenell-it karshi Kosovës që në fillim ka qenë armiqësor, sepse ai në kohë pandemie e rrëzoi qeverinë legjitime kosovare përmes vasalëve të tij: LDK-së, PDK-së, AAK-së. Në kohë pandemie ai ia mohoi Kosovës Fondin MCC, iu kërcënua Kosovës me tërheqje trupash e mbyllje të Bondsteel-it. Ai përdori gjuhën e frikës dhe bullizmin, e barazoi viktimën me kriminelin, ai u mundua të sajoj një histori e gjeografi të paqenë të Kosovës me bosin e tij, ai e shkeli rëndë Konventën e Vjenës.
Grenell, me ndihmën e Hotit dhe argatëve të tij që e sollën në pushtet, në Marrëveshjen e Uashington-it e inkorporuan “minishengenin”, moratoriumin, por e hoqën pikën ku kërkohej njohje reciproke. Pse sot nuk flitet për tradhtinë e Hotit, edhe pse ai e legalizoi ‘minishengenin’ në DC. Pse Grenell i thotë Kosovës të respektoj ‘minishengenin’ por jo dhe Vuçiqit që të zhvendos ambasadën serbe në Jerusalem.
Tani, pas rënjes, Grenell sërish na rishfaqet në Ballkan, si një ‘ujk’ dinak që e do mjegullën, si njeri i papunë, i gjen vetes punë kur Ballkani ka stuhi. Ai na shfaqet herë në Beligrad e herë në Tiranë, sepse në këto dy qendra misioni i tij mbeti i papërfunduar, sepse në këto dy qendra ai i duhet Ramës e Vuciqit, sepse ata përpara se të ‘mbyten’ kapen edhe për një fije kashte si që është Grenell, tani.
Grenell, në ‘cicërimën’ e tij të fundit i provokon keq shqiptarët duke thëne: “Sot ne i nderojmë heronjtë e #Vidovdanit. Ne këtë datë më 1389, filloi beteja kundër turqve në Kosove. Sot është dita e përkujtimit për Princin Shën Lazari dhe për martirët e shenjtë serbë.”
Kjo ‘cicërimë’ e Grenellit do të duhej të ishte një sinjal shumë serioz për shqiptarët, një rënkim dhe ulërimë ogurzezë e tij kundër shqiptarëve, sepse ai merret me një të pavërtetë historike, me një mit që mundohet t’a shndërroj në një realitet. Beteja e Kosovës ishte një koalicion Ballkanik ku shqiptarët u shquan në luftë, kjo nuk ishte një betejë me luftëtarë puro serbë siç propagandon lobisti serb, Grenell, jo se ai nuk i din këto, por sepse ashtu dëshiron. Ai dëshiron që të përkrah marrëzitë serbe, sepse serbët janë të vetmit në botë që kremtojnë betejat e humbura.
Ky veprim dashakeq i ish-ambasadorit Grenell, në vend se ti irritoj politikanët shqiptarë, ata njëlloj si HTH që ia dha dekoratën ‘Mik i Kosovës’ sillen me plot admirim. Presidenti Meta, për agjendën e tij meskine po ashtu e fton Grenell-in në Tiranë, valle pse? Rama po ashtu i kërkon ndihmën e tij për të jetësuar ‘ish-minishengenin” e tij të Hotit dhe të Vuçiqit.
A do tu bëje mirë talismani/hajmalia e Grenellit ‘hijeve’ të Ballkanit, Ramës, Vuçiqit dhe Metës, a do ti shpëtojë ai prej këtij pellgu të pafund marrëzirash tani edhe nën ritmin e muzikës serbe të Bregoviqit, apo kjo do të shndërrohet në ‘provokacija’ dhe në një muzikë të përmortshme për këta tre, dhe një REQUIEM i Mocartit për ‘minishengenin’ dhe kleptokracinë e tyre.
Kryeministri Shqipërisë n’a e solli ‘ujkun’ në derë, e për ketë, një fjalë popullore thotë: “Paç faqen e bardhe si bythë e kusisë”,– Kryeministër! Shporrja e Ramës dhe shkuarja në Hagë e Vuciqit për krime kundër njerëzimit, vetëm sa s’kanë ndodh. Kryeministri Rama n’a ndau dhe vazhdon te n’a ndajë tmerrësisht keq, tërbimi i tij është më i rrezikshëm se sa lëvizjet qarkore të ‘ujkut’ Grenell.