MSH: Certifikata e vaksinimit në gjithnjë e më shumë vende po bëhet e zakonshme
Ministria e Shëndetësisë kumtoi se deri më tani janë zbuluar 30 raste të llojit delta të Kovid-19 në vend, i cili po përhapet me shpejtësi në të gjithë botën, në rajon, kështu që ka shumë të ngjarë që i njëjti do të ndodhë edhe në vendin tonë.
Lloji delta i Kovid-19, siç theksohet, e bën vaksinimin edhe më të rëndësishëm, prandaj një numër i madh i qytetarëve duhet të vaksinohen në mënyrë që të shmangin “mbylljen” e sërishme, orën policore dhe të ngjashme.
Qytetarët duhet të tregojnë disiplinë të lartë, të vaksinohen, për të mbrojtur veten, familjen, fëmijët, miqtë, kolegët në punë. Ne po paralajmërojmë masat që do të hyjnë në fuqi, ne nuk jemi i vetmi vend që do të vendos masa, tashmë shumë masa më kufizuese janë aplikuar në vendet e rajonit, Evropës dhe botës. Në përpjekje për të ruajtur shëndetin publik dhe kontrolluar rritjen e shpejtë të numrit të të infektuarve, që paraqet rrezik të mbingarkesës së sistemeve shëndetësore, gjithnjë e më shumë vende po vendosin certifikatë të detyrueshme vaksinimi për qytetarët e tyre, për përdorim të pandërprerë të vendeve dhe shërbimeve publike, informojnë nga MSH-ja.
Danimarka, Austria dhe Hungaria ishin ndër vendet e para që prezantuan certifikatat shëndetësore në mars të këtij viti, të cilat në Austri janë ende të nevojshme për të vizituar restorante, hotele dhe qendra sportive. Masa të tilla janë gjithashtu të vlefshme në Portugali dhe Irlandë, ndërsa në Luksemburg ato janë më të rrepta dhe certifikata e vaksinimit është e detyrueshme kur hyni në dyqane.
Paraqitja e një certifikatës së vaksinimit në objektet e mbyllura të hotelierisë hyri në fuqi muajin e kaluar në Greqinë fqinje, me qëllim mbrojtjen e punëtorëve vendor dhe numrit të madh të turistëve të huaj që hyjnë në vend gjatë sezonit turistik.
Sipas vendimit të Qeverisë së Italisë, nga ana tjetër, për të qëndruar në hapësira të mbyllura, qytetarëve u kërkohet të paraqesin një dokument për vaksinim për aplikimin e të paktën një doze, dëshmi të imunizimit në mënyrë natyrore, pra tejkalimin e virusit ose test PCR negativ, jo më i vjetër se 48 orë. Certifikata e vaksinimit në Itali është e detyrueshme për mësuesit, qytetarët që përdorin transportin publik, për të hyrë në kinema, muze dhe ngjarje sportive, por edhe për mysafirët në restorante. Studentët gjithashtu do të kenë nevojë për certifikatë, ndërsa punonjësit që nuk paraqesin dëshmi të imunizimit për pesë ditë rresht do të pezullohen nga puna dhe nuk do të ushtrojnë të drejtën për të marrë pagë, sepse do të përbëjnë rrezik për qytetarët e tjerë.
Vala e katërt e Kovid-19 shkaktoi një rritje të infeksioneve në Francë, ku hyri në fuqi masat për vaksinimin e detyrueshëm të punonjësve shëndetësorë dhe paraqitjen e një certifikate ose testi PCR negativ për pjesëmarrje në vende publike, ngjarje me pjesëmarrje masive dhe përdorim të transportit publik. Pas hyrjes në fuqi të masave, bilanci i popullsisë me dy doza të marra të vaksinës është 50 për qind. Përveç Evropës, shumë vende në botë, përfshirë SHBA-në, po prezantojnë vaksinimin e detyrueshëm për kategori të caktuara të qytetarëve, si dhe certifikatë të detyrueshme të imunizimit për të vizituar vendet publike, duke përdorur të mirat dhe shërbimet publike, në mënyrë që të kufizojnë përhapjen masovike të virusit dhe mbrojtjen e shëndetit të popullatës, theksojnë nga Ministria e Shëndetësisë.
Nga MSH-ja theksojnë se ndryshe nga vendet e tjera, ku për kategori të caktuara profesionesh vaksinimi është i detyrueshëm, në vendin tonë është e drejtë e zgjedhjes.
Sidoqoftë, ata theksojnë, rëndësinë e vaksinimit kështu që qytetarët që nuk janë vaksinuar deri më tani, janë në mëdyshje, kanë dilemë rreth vaksinimit, të inkurajohen dhe të marrin vaksinën sa më shpejt të jetë e mundur.
“Vaksinat janë të sigurta dhe efektive, duke mbrojtur kundër komplikimeve të sëmundjes dhe vdekjes. Vetëm me imunizim masiv mund të parandalojmë përhapjen e mutacioneve të Kovid-19”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.