Gazetari nga Shqipëria: Ndihem më afër me Bregoviçin se sa me ata shqiptarë që e kundërshtojnë
Nano thotë se ka shqiptarë që duan ta dëgjojnë, dhe se Bashkia e Korçës nuk mund ta refuzojë Bregoviqin vetëm sepse “kështu duan disa policë të mendimit e disa gardianë të patriotizmit”.
“Ne nuk mund të mbetemi pengje të një antisllavizmi të paketuar jetë e mot. Këtë të fundit e them në radhë të parë për shqiptarët e Kosovës, të cilët ngacmohen menjëherë nga çdo gjë serbe”, ka shkruar Nano.
Ai madje shkon larg, duke thënë se ndihet më afër me këngëtarin serb, Goran Bregoviq, sesa me ata që po e kundërshtojnë prezencën e tij në Festën e Birrës në Korçë.
“T’ju them të drejtën, Bregoviçin nuk e njoh mirë (as si këngëtar nuk e njoh e nuk e ndjek), por mund ta them pa frikë se ndihem më afër me të sesa me ata shqiptarë që e lënë dhe e mbajnë veten pengje të një nacionalizmi kaq vulgar e folklorik”, ka shkruar Nano.
Postimi i plotë:
Disa njerëz nuk kanë gjetur një mënyrë më të mirë për të mbrojtur praninë e Goran Bregoviçit në Korçë, sesa të thonë që “Bregoviçi nuk është ashtu si mendohet”, që “nuk ka asnjë provë që ai ka qenë antishqiptar” etj., etj. Një mbrojtje e dobët, e ndrojtur, frikacake. Po ja, ta zëmë se ai ka thënë ndonjë gjë antishqiptare kohë më parë. Fakti që ai ka dëshirë të vijë në Shqipëri, do të thotë se nuk është më antishqiptar, se është penduar për ç’ka thënë. Po të ishte antishqiptar, as që do ta çonte në mendje të vinte këmbë në Shqipëri. Pastaj, ai mund të vijë sa herë të dojë, për sa kohë që në Shqipëri ka njerëz që duan ta dëgjojnë. Dhe në Shqipëri, dihet tanimë, ka plot njerëz që duan ta dëgjojnë. Si t’u themi këtyre të fundit? T’u themi “ta harrojnë Bregoviçin”, sepse kështu duan ca policë të mendimit e ca gardianë të medemek patriotizmit? Ne nuk mund të mbetemi pengje të një antisllavizmi të paketuar jetë e mot. Këtë të fundit e them në radhë të parë për shqiptarët e Kosovës, të cilët ngacmohen menjëherë nga çdo gjë serbe. Dhe nuk e kam fjalën thjesht për masën e madhe të kosovarëve. E kam fjalën veçanërisht për një pjesë të elitës kosovare. Dy vetë, pjesëtarë të kësaj elite, kanë refuzuar para nja dy vitesh të vijnë në programin tim televiziv “Provokacija” për një arsye, që mua më la pa gojë. Sipas tyre, unë kisha zgjedhur një fjalë serbe për ta titulluar programin, dhe ata nuk ishin aq të pacipë sa të shkonin në një program që kishte për titull një fjalë serbe!!! Dhe të mendosh që ata nuk janë rapper-a 20-qindarkësh. Ata janë personalitete të rëndësishme të kulturës kosovare. Janë edhe figura institucionale. Mua me njerëz të tillë më ndan një hon i madh e i paanë. T’ju them të drejtën, Bregoviçin nuk e njoh mirë (as si këngëtar nuk e njoh e nuk e ndjek), por mund ta them pa frikë se ndihem më afër me të sesa me ata shqiptarë që e lënë dhe e mbajnë veten pengje të një nacionalizmi kaq vulgar e folklorik.