Maqedoni

Filipçe dhe Komisioni për Sëmundjet Infektive kërkojnë masa restriktive për Tetovën dhe rajonin

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, në koordinim me anëtarët e Komisionit për Sëmundjet Infektive këtë mëngjes diskutoi situatën epidemiologjike në Tetovë dhe ranë dakord me Qeverinë të propozojë masa të reja për këtë rajon, për të parandaluar përhapjen e shpejtë të virusit Covid-19.

Situata në Tetovë është jashtëzakonisht serioze dhe vala e re tashmë ka ardhur, dhe kjo ishte e pritshme sepse situata është e ngjashme kudo në rajon. Pushimet verore kanë sjellë frekuencë të lartë lëvizjeje dhe kjo ishte e pritshme, prandaj masa të caktuara duhet të rikthehen për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit.

Analizat që janë bërë ditët e kaluara nga ISHP tregojnë se virusi është përhapur kryesisht në mesin e të pavaksinuarve, mbi 90% të rasteve të reja janë qytetarë të pavaksinuar. Nga ana tjetër, përfshirja në vaksinim është nën 20% në Tetovë. Si grupime ku virusi përhapet më shpejt janë dasmat dhe festat që janë të shumta në këtë rajon, ndërsa sipas informacioneve në nivelin lokal, masat parandaluese nuk respektohen fare, veçanërisht mbajtja e maskave në ambiente të mbyllura.

Ministri dhe anëtarët e Komisionit propozojnë masat dhe kufizimet e mëposhtme:

Ndalimi për të organizuar të gjitha ngjarjet masive në hapësira të mbyllura, dasma, festime. Kjo është thelbësore për tu respektuar në periudhën e ardhshme dhe qytetarët duhet të kuptojnë se kjo masë është e nevojshme.

Mbushja e pjesës së mbyllur të objekteve të hotelierisë nuk duhet të kalojë 30%, dhe jo më shumë se 4 persona mund të ulen në tavolina.

Kontrolle të intensifikuara për zbatimin e këtyre masave, por edhe masat për mbrojtjen personale, kryesisht mbajtja e maskave në ambiente të mbyllura.

Forcimi i vaksinimit dhe komunikimit në terren në nivel lokal në mënyrë që të rritet përfshirja e të vaksinuarve, sepse është e qartë se vetëm me vaksinim mund të parandalojmë përhapjen dhe rrezikun nga sëmundja e rëndë tek pacientët.