Kolumna

Interneti e ka bërë botën më të vogël dhe më të integruar!

Prof.Asoc.Dr.Nijazi Halili
Globalizimin e ka mundësuar teknologjia informatike: kompjuterizimi, digjitalizimi, komunikimi satelitor, sistemi transportues dhe në fund interneti. Interneti e ka lëvizur rrjedhën e informatave fuqishëm, e ka shpejtuar përhapjen informative, e ka rritur veprimin e gjithë sektorëve të prodhimit dhe shërbimeve dhe ka bërë që bota të jetë më e vogël dhe më e integruar.

Terë kjo tani dhe në të ardhmen, për shkak të përsosjes së mëtutjeshme të teknologjisë informative, do të krijoj rrethana që procesi i globalizimit të bëhet edhe më i dukshëm. Tani edhe në të ardhmen përmes internetit po lëviz dhe do të lëvizë tregtia, kapitali, paraja si dhe tendenca ndaj unifikimit kulturorë.

Epoka e konkurrencës, sipas ndarjeve të tregjeve në gjysmën e dytë të shek.XX, do të kalohet në epokën e konkurrencës direkte (kryet në krye), në gjysmën e parë të Shek.XXI. Në konkurrencën e tregjeve të gjithë fitojnë. Për secilin ka vend. Askush nuk do të shkatërrohet. Në konkurrencën direkte dikush fiton e dikush humb. Në shek.XXI përparësi komporative do të jetë vepra e njeriut, për arsye se pas saj qëndron teknologjia, hulumtimi dhe zhvillimi, që do të bëhen vendimtare. Në të kaluarën fitues kanë qenë ata që kanë zbuluar prodhime të reja. Britanikët , me to janë pasuruar në shek.XIX dhe amerikanët në shek.XX. Në shek.XXI përparësitë konkurruese të qëndrueshme do të theksohen shumë më lartë me teknologjinë e proceseve të reja sesa me procesin e prodhimeve të reja. Prodhimet e reja është lehtë të reproduktohen. Pra, ajo çka ka qenë primare zhvillimi i prodhimeve të reja po bëhet sekondar, kurse ajo që ka qenë sekondare zbulimi dhe zhvillimi i proceseve të reja po bëhet primare.

Përderisa amerikanët janë përqendruar në teknologjinë e prodhimit, gjermanët dhe japonezët janë përqendruar në teknologjinë e procesit. Këta të fundit nuk e kanë bërë se janë më të mençur se amerikanët, por për arsye se në të kaluarën amerikanët kanë qenë në përparësi të tilla teknologjike, sa që Japonia dhe Gjermania nuk kanë qenë në gjendje të marrin primatin në teknologjinë e prodhimeve të reja. Prandaj, koncentrimi në teknologjitë e prodhimeve të reja, që para tri decenieve ka qenë strategji e mirë e amerikanëve, sot është strategji e dobët.