Maqedoni

Zjarret në Maqedoni janë lokalizuar, por edhe më tej janë aktivë

Zjarret të cilat shpërthyen mbrëmë në disa lokacione në vend, gjatë natës janë lokalizuar, por edhe më tutje janë aktivë dhe nuk është mënjanuar rreziku nga përhapja e tyre. Në terren janë ekipet zjarrfikëse me automjete dhe mekanizëm, pjesëtarët e Armatës, të Drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim dhe qytetarët të cilët po ndihmojnë.

Zjarri në Koçan që mbrëmë kërcënonte të përfshijë edhe pjesë të qytetit, ende është aktiv. Nga Njësia territorial zjarrfikëse-Koçan informuan se ka gjasa të mëdha se do të ndërlidhet me vendet e kapluara nga zjarri afër fshatrave Banja dhe Tërkanje, ku ka zjarr prej para disa ditëve.

Sot në mëngjes po bëhet kontrolli në teren para se të angazhohen helikopterët për shuarje të zjarrit.

Zjarri në Rankovc është lokalizuar dhe vënë nën kontroll, kumtoi në Fejsbuk ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski. Aktiv është edhe zjarri afër Nagoriçanit të Vjetër dhe janë mobilizuar ekipe për shuarjen e tij.

Për sot është caktuar mbledhje e grupit për vlerësim ku do të shqyrtohet serioziteti i situatës me zjarret dhe, siç paralajmëroi drejtori i Qendrës për menaxhim me kriza, Stojançe Angellov, nëse nevojitet, do të propozohet të shpallet gjendje krize në një pjesë të territorit apo në tërë territorin e vendit.

Presidenti Stevo Pendarovski, me propozim të Shtatmadhorisë së Armatës, ndërkaq pas analizës së gjendjeve, urdhëroi të shpallet alarm në tërë përbërjen e Armatës për përballje me fatkeqësitë elementare.

Ky vendim, siç kumtoi Pendarovski, është sjellë me qëllim që në aksion të koordinuar me të gjitha institucionet, e tërë përbërja e Armatës të mund të vihet në dispozicion për përballje me zjarret në territorin e shtetit.

Kryeministri Zoran Zaev, i cili mbrëmë e vizitoi Koçanin, deklaroi se me forca të bashkuara po bëhet gjithçka që të tejkalohet situate e shkaktuar nga zjarret. Ai theksoi se Qeveria do të gjejë mënyrë për ta kompensuar dëmin material, pa dallim nëse bëhet fjalë për kulme të djegura, shtëpi apo për kafshë të shkatërruara.

“Me rëndësi është të dinë se solidariteti në shtet funksionon. I tërë sistemi është vënë përmes QMK, Drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim me NJZ dhe shtabet komunale funksionojnë, duke pasur parasysh se vetëm sot janë locuar 13 zjarre të cilat po tërbojnë në territorin e vendit. Zjarre ka edhe në fqinjësi. Me rëndësi t’i ndajmë të gjitha resurset dhe me rënësi është që të gjithë jemi aktivizuar”, theksoi mbrëmë kryeministri në Tërkanje të Koçanit, ku ishte i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, kryetari i Komunës së Koçanit, Nikollço Ilijev dhe drejtori i QMK-së, Stojançe Angellov.

Kryeministri u shprehi falënderim edhe ushtrisë dhe policisë, të cilët, siç përmendi, nuk janë trajnuar për shuarje të zjarreve, por megjithatë janë shumë të rëndësishëm në menaxhimin e qytetarëve, të cilët janë në panik nga situatat e këtilla, si dhe në evakuimin e popullatës civile.

Zaev informoi se presidenti Stevo Pendarovski ka biseduar me presidentin bullgar, Rumen Radev për ndihmë, ndërkaq ai vetë ka kontaktuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, i cili ka konfirmuar se do të na japin disa helikopterë. Ka biseduar edhe me kryeministrin teknik bullgar, Stefan Janev në drejtim të veprimit të përkohshëm me të gjitha resurset e disponueshme.

“Kjo do të thotë se në mëngjes duhet të veprojmë dhe të parandalojmë gjithçka që mund të jetë vatër, e cila së pari do të rrezikojë njerëz, e më pas shtëpitë, e më tutje gjithsesi edhe malet të cilat po digjen në vend”, tha mbrëmë Zaev dhe shtoi se për momentin janë të rrezikuara edhe rajonet në Makedonski Brod, Dellçevë dhe Pehçevë…

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe deklaroi se në zjarre nuk ka të lënduar, në kuptimin e të djegurave apo lëndimeve të rënda, por, janë rreth dhjetë persona të cilët janë paraqitur në spitalin e Koçanit për shkak të kanë thithur tym.

“Katër pacientë janë lëshuar në shtëpi, ndërsa pesë janë mbajtur në spital dhe janë në terapi oksigjeni. Për disa orë do të lëshohen për mjekim shtëpiak. Ne e mobilizuam tërë sistemin shëndetësor në të gjitha shtëpitë e shëndetit dhe spitalet në rrethinë. Duke pasur parasysh atë që është koha e pushimeve. I kontaktuam me telefon edhe mjekët dhe infermieret dhe të gjithë janë në “stend baj” edhe në Koçan edhe në shtëpinë e shëndetit në Shtip. Shpresoj se nuk do të ketë nevojë për intervenim”, tha Filipçe.

Qeveria, ndërkaq, kumtoi se prej sot hyn në fuqi ndalesa e plotë për lëvizje në viset malore. Qeveria u bën thirrje të gjithë qytetarëve të mos lëvizin në rajonet malore të vendit, për shkak të mbrojtjes së sigurisë personale dhe për shkak të parandalimit të përhapjes së mëtutjeshme të zjarreve.