Punëtorët e ndërtimtarisë punojnë në temperatura mbi 40 gradë Celsius
Gjatë kësaj jave, Maqedonia e Veriut është përballur me temperatura të larta që kanë arritur mbi 40 gradë Celsius. Për këtë arsye, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale dhe ajo e Shëndetësisë, kanë rekomanduar që nga 29 korriku deri më 1 gusht, të shmangen të gjitha punët që kryhen në hapësira të hapura nga ora 11:00 deri më 17:00.
Po ashtu është rekomanduar që të lirohen nga puna grupet më të ndjeshme, siç janë gratë shtatzëna dhe personat të tjerë mbi 60 vjeç.
Por, pjesa më e madhe e punëtorëve të ndërtimtarisë mbeten në punë edhe gjatë orëve kur shënohen temperaturat mbi 40 gradë Celsius, siç janë shënuar edhe gjatë gjithë kësaj jave.
“Mbrohem aq sa mundem me mënyrat që kam në dispozicion. Vendos kapele ose bëj përpjekje që të tërhiqem në brendi të objektit, ku nuk depërtojnë rrezet e forta të diellit sepse nuk mund ta ndalim procesin e punës. Kemi afat se kur duhet ta dorëzojmë objektin dhe nëse e ndalim punën për gjashtë orë, është e pamundur që të arrijmë (ta përfundojmë punën) në kohë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Ilia Mirçevski, kryepunëtor në një objekt ndërtimi në Shkup.
Azem Iseni, që është angazhuar si punëtor në një objekt që po ndërtohet në Shkup, thotë se ka më shumë se pesë vjet që punon në ndërtimtari dhe asnjëherë nuk ka pasur pushim gjatë orarit të drekës pavarësisht temperaturave të larta, pasi siç thotë, puna duhet të kryhet me kohë.
“Kur bën pazar një punë, kryesorja është koha kur e kryen. Patjetër duhet të përfundohet me kohë sepse pastaj nuk të japin punë”, thotë Iseni.
Nga Sindikata e Punëtorëve të Ndërtimtarisë thonë se gjatë kontrolleve në terren vërehet se pjesa më e madhe e punëdhënësve nuk i respektojnë rekomandimet e qeverisë dhe punëtorët e këtij sektori punojnë edhe gjatë harkut kohor kur temperaturat janë mbi 40 gradë Celsius.
Kryetari i kësaj sindikate, Ivan Peshevski thotë për Radion Evropa e Lirë se përderisa këto rekomandime nuk futen në kuadër të Ligjit për sigurinë në punë, pjesa më e madhe e punëdhënësve do të vendosin përfitimet financiare para interesave të punëtorëve.
Ai shton se derisa nuk ka dënime për ata që shkelin rekomandimin që të mos punohet kur temperaturat janë mbi 40 gradë Celsius, të njëjtat nuk do të respektohen nga askush.
“Inspektorët kur dalin në terren dhe konstatojnë se punëtorët punojnë edhe gjatë kohës me temperatura të larta dhe vetëm ua rikujtojnë punëdhënësve rekomandimet e autoriteteve përkatëse. Por, ata nuk kanë mundësi që t’i dënojnë punëdhënësit e papërgjegjshëm, të cilët nuk i respektojnë këto rekomandime. Andaj kërkojmë që këto rekomandime të formësohen, përkatësisht të inkorporohen në Ligjin për siguri në punë dhe ata punëdhënës, të cilët nuk i respektojnë të njëjtat, të gjobiten”, thotë Peshevski.
“Vetëm në këtë mënyrë do të rritet vetëdija e punëdhënësve që të ketë pushim për punëtorët kur temperaturat janë shumë të larta, në të kundërtën, gjithçka do të mbetet në letër pa asnjë grimë zbatimi”, shton ai.
Ai po ashtu thekson se punëtorët e ndërtimtarisë nuk refuzojnë që të punojnë edhe në temperatura të larta, pasi kanë frikë se do të largohen nga puna.
“Punëtorët i dinë të drejtat e tyre, por hezitojnë të refuzojnë punën gjatë orëve me temperatura të larta sepse ndodhen para presionit se në çdo moment mund të largohen nga puna dhe të zëvendësohen me punëtorë të tjerë. Më të rrezikuar mbeten punëtorët e pakualifikuar, pasi ata lehtësisht mund të zëvendësohen me punëtorë të tjerë, të cilët angazhohen për një sezon të caktuar, aq sa zgjat ndërtimi i një objekti”, thotë Peshevski.
Ndërkaq, Millan Petkovski nga Shoqata për Mbrojtjen në Vendin e Punës, thotë për Radion Evropa e Lirë se te kjo shoqatë janë deponuar shumë ankesa, jo vetëm nga sektori i ndërtimtarisë, por edhe nga ana e punëtorëve të shumë fabrikave, të cilët janë ankuar se punojnë në kushte të këqija gjatë ditëve kur temperaturat janë të larta.
Ai thotë se punëtorët po ankohen se punëdhënësit e tyre, për të ulur kostot e shpenzimeve, kanë refuzuar që të vendosin aparatura për ventilim apo aparatura për freskimin e ajrit.
Ndërkohë, punëdhënësit në sektorin e ndërtimtarisë kanë deklaruar se vetë punëtorët refuzojnë që të pushojnë gjatë orarit të drekës, pasi ata detyrohen që të paguajnë dy herë shpenzimet e rrugës për të ardhur në vendin e punës./REL