Ligji i ri ofron 16 mundësi për të fituar shtetësi në Maqedoninë e Veriut, më së shumti përfitojnë shqiptarët
Deputetët e Kuvendit sot me 57 vota “për”, miratuan Ligjin për shtetësi.
Me këto ndryshime, janë paraparë 16 kushte me çka personat të cilët deri në shpalljen e pavarësisë së Maqedonisë kanë jetuar në Maqedoni mund të fitojnë shtetësi. Ligji u miratua me flamur evropian në procedurë të shkurtuar për shkak të bllokimit të partisë “E majta”.
Në debat në Kuvend, deputeti nga radhët e VMRO-DOMNE-së, Bojan Stojanovski deklaroi se nuk duhet të shihet kjo si problematikë që përfshin përkatësi etnike, por duhet të shihet në mënyrë të drejtë.
Me ndryshimet e reja duhet të zgjidhet statusi i personave nga ish-republika e Jugosllavisë të cilët deri në shpalljen e pavarësisë kanë jetuar në Maqedoni. Ata do të duhet ta fitojnë shtetësinë në afat prej tre viteve që nga hyrja e ligjit në fuqi./Telegrafi/