Deputetja shqiptare në Kroaci: Dyshohet se shoferi i autobusit ishte në gjumë
Deputetja shqiptare e Parlamentit të Kroacisë, Ermina Lekaj-Prlaskaj, tashmë është nisur për në Slovanski Brod ku edhe ndodhi aksidenti tragjik në të cilin u vetaksidentua autobusi nga Kosova që po vinte nga Gjermani për në Kosovë.
Lekaj-Prlaskaj ka treguar se në bazë të informacioneve të para deri te aksidenti ka ardhur pasi shoferi ka qenë në gjumë.
Por detaje të tjera lidhur me gjithë ngjarjen tronditëse Lekaj-Prlaskaj tha se do të bëhen të ditura posa të arrijë në vendin ku ka ndodhur tragjedia.
“Në orët e mëngjesit në afërsi tëSlovanski Brodit ka ndodhur një aksident rrugor ku kanë humbur jetën 10 persona dhe 30 janë të lënduar. Sipas informatave të fundit nga ministri i Shëndetësisë që gjendet në vendngjarje është që të gjithë të lënduarit janë të stacionuar në spitalin e shtetit. Tani jam në rrugë të Slvanoski Brodit. Këtu është bashkangjitur edhe ambasadori i Republikës së Kosovës, Gëzim Kasapolli si dhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Kroacisë ku janë duke parë se çka ka ndodhur dhe cilat janë pasojat e këtij aksidenti”, tha ajo për KosovaPress.
Lekaj-Prlaskaj tha se në bazë të informacioneve të para dyshohet se shoferi i autobusit ka qenë në gjumë, por shkaqet e vërteta të kësaj ngjarje pritet të kuptohen më vonë.
“Tani për tani kam informacion që shoferi ka qenë në gjumë, por më vonë kur do të dalë në vendngjarje do të marrë të dhëna më të sakta nga zëvendësministri i Punëve të Brendshme dhe ministri i Shëndetësisë do të shoh si qëndron situata me të lënduarit”, tregoi Lekaj-Prlaskaj.
Aksidenti i autobusit të kompanisë “Deva Tours” i mori jetën deri tani dhjetë personave, ndërsa 15 të tjerë janë në gjendje më të rëndë./kp/