Maqedoni

DASH me kritika për nivelin e korrupsionit në vend

Departamenti amerikan i shtetit ka publikuar raportin për Maqedoninë. Dokumenti me titull “Klima investuese në vitin 2021” përfshin disa sfera, mes të cilave edhe korrupsionin, ku Qeveria kritikohet për luftë selektive kundër kësaj dukurie.

Departamenti i shtetit

“Zbatimi i ligjeve për luftë kundër korrupsionit në momente të caktuara ishte i dobët dhe në mënyrë selektive, i drejtuar nga kritikuesit qeveritarë dhe shkelës të rangut më të ulët. Ka akuza kredibile për korrupsion në polici, prokurori, gjyqësor dhe sektorë të tjerë”.

Administrata amerikane lavdëron rolin aktiv të Komisionit shtetëror për parandalimin e korrupsionit, që u themelua para dy vitesh dhe përpjekjen e tyre që të hetojnë korrupsionin te përfaqësuesit e lartë politik. Në raport është nënvizuar edhe roli i ish Prokurorisë Speciale si dhe aktgjykimet e Gjykatës Penale për lëndët e tyre, duke aluduar në lartësinë e dënimeve me burg për përgjimin disavjeçar ilegal.

Departamenti i shtetit

“Pasi prokurorja kryesore speciale u akuzua për reket në nëntor të vitit 2019 dhe skadoi mandati i PSP-së, të gjitha rastet (që dolën nga skandali me përgjimin masiv, që zbuloi keqpërdorim të madh të detyrës zyrtare nga ish zyrtarë, përfshirë edhe tenderë publik) u dërguan në Prokurorinë e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Disa raste të profilit të lartë mbaruan në vitin 2020 ndërsa të akuzuarit morëm dënime me burg deri në 12 vjet”.

Partitë opozitare me reagim ndaj raportit. VMRO vlerëson se raporti vetëm se e ka pasqyruar mënyrën sesi qeveris Zoran Zaev, e ajo është në mënyrë kriminale dhe me korrupsion.

“Ky është raporti më negativ që Departamenti i shtetit e ka dhënë për Maqedoninë. Ky është realiteti i hidhur në të cilin jetojmë me korrupsion, nepotizëm dhe përplasje interesash gjatë furnizimeve publike. Gjithsesi edhe selektime të mëdha në gjyqësor, ndiqen peshq të vegjël, ndërsa të mëdhenjtë nuk përgjigjen. Kjo është pasqyra e sistemit të Zaevit përplot me ryshfet dhe kriminalitet të funksionarëve, me sistem gjyqësor të ekspozuar në korrupsion. Ky është realiteti i hidhur sot”- deklaroi Vllado Misajllovski, VMRO-DPMNE

Aleanca për shqiptarët thotë se me vite ka alarmuar për nivelin e lartë të krimit dhe korrupsionit ku drejtpërdrejtë janë të përfshirë përfaqësues të qeverisë dhe udhëheqës të institucioneve në vend.

Aleanca për shqiptarët

“Aleanca për shqiptarët sjelljen e qeverisë e vlerëson si joserioze dhe të papërgjegjshme, e cila alarmimet e këtilla i trajton me neglizhencë, ndërsa pasojat më serioze i vuajnë qytetarët të cilët çdo ditë e braktisin vendin, për të ikur nga mospasja e perspektivës dhe korrupsionit të institucioneve që janë kapur nga pushteti i tanishëm”.

Departamenti I shtetit e komentoi edhe raportin e “Transparency Internacional” i cili e renditi vendin në pozitën e 111 sipas indeksit për korrupsion nga 180 vende. Ndërsa pozita e keqe sipas dokumentit është për shkak të përpjekjeve jo të mjaftueshme të qeverisë në luftën kundër korrupsionit. Për më tepër, kompanitë amerikane që kanë investuar dhe që punojnë në vend, janë ankuar për korrupsion në tenderët e qeverisë, por edhe për korrupsion në gjyqësor./Alsat