Maqedoni, për tre muaj, 29 vetëvrasje!
Sipas raporteve të policisë, për tre muaj (nga muaji janar deri në mars), në Maqedoninë e Veriut janë kryer 29 vetëvrasje, ku 12 prej tyre kanë qenë në Shkup, gjashtë në Strumicë, katër në Manastir, nga dy në Tetovë, Kumanovë dhe Veles, si dhe një në Shtip. Numri arrin në 31 me dy vetëvrasjet e javës së kaluar, kur një 25-vjeçar dhe një vajzë 22-vjeçe i dhanë fund jetës pas një depresioni të thellë.
Është vështirë të kuptojmë se në çfarë shkalle mund të jetë shqetësimi dhe brenga e një personi i cili vendos t’ja marr jetën vetës. Ditëve të sotme fenomeni i vetëvrasjeve është rritur gjithandej. Vetëvrasja që shkaktoi tronditje në vendin tonë, ishte vetëvrasja e dyfishtë në Shtip. Së pari u vetëvra një 25-vjeçar dhe më pastaj, edhe një vajzë 22-vjeçare. Mediat jozyrtarisht raportuan se bëhet fjalë për një dashuri të ndaluar nga familjarët. Ndërkohë, dy vetëvrasjet e javës së kaluar fatkeqësisht nuk janë të vetmet në vendin tonë. Sipas raporteve të policisë, për tre muaj (nga muaji janar deri në mars), në Maqedoninë e Veriut janë kryer 29 vetëvrasje, ku 12 prej tyre kanë qenë në Shkup, gjashtë në Strumicë, katër në Manastir, nga dy në Tetovë, Kumanovë dhe Veles, si dhe një në Shtip. Numri arrin në 31 me dy vetëvrasjet e fundit.
Psikologët këshillojnë që të rinjtë që ndjehen të shqetësuar dhe kanë nivel të depresionit, të merren me aktivitete që përmirësojnë gjendjen e tyre emocionale, si duke dëgjuar muzikë, vizatuar, shikuar film, apo edhe marrja me ndonjë aktivitet fizik. Sipas tyre, e rëndësishme është edhe nëse krijojnë një rutinë dhe disa rregulla ditore. Gjithashtu, psikologët këshillojnë që prindërit të bisedojnë hapur me fëmijët për problemet e tyre dhe t’ju japin mbështetje emocionale që sa më lehtë ta kalojnë periudhën e vështir nëse vetëm ata gjenden. Arta Qoku, psikologe, për gazetën KOHA thotë se vetëvrasja është pika e fundit pas një kohe të gjatë të kaluar në depresion dhe ankth. “Janë dy pika kryesore se përse kemi rritje të numrit të vetëvrasjeve. E para është prishja e stabilitetit mendor. Pra si qenie njerëzore ne projektojmë të ardhmen, por pandemia me virusin korona e prishi këtë stabilitet duke e ndërruar rutinën ditore dhe me humbjen e personave më të dashur brenda një kohe të afërt. Këto dy faktorë, kanë ndikuar që jeta të dalë nga binarët dhe të vendosë një pikëpyetje për të nesërmen dhe i vendosi të rinjtë në udhëkryq dhe kjo ndikoi jashtë zakonisht që të humbet balanci i jetës”, thotë Qoku. Ajo tha se pika e dytë është neglizhenca e autoriteteve shtetërore që ju bëhet të rinjve. Sipas saj, edhe pse depresioni është tepër i pranishëm te të rinjtë, nuk janë marrë masa që kjo të reduktohet. “Qeveria ka menduar për masa ekonomike, lejimin e dasmave, hapjen e gastronomisë, por në asnjë moment nuk mori masa për daljen në ndihmë të të rinjve, të cilët përballen me depresionin”, nënvizon ajo, ndërsa shton se numri i të rinjve që kanë kërkuar ndihmë dhe tretman te psikologu është rritur.
“Në mënyrë që t’ju ndihmojmë të rinjve që po përballen me depresionin, shoqëria duhet të sensibilizohet dhe ta pranoj se është një gjendje normale dhe mund të dilet nga ajo gjendja dhe se nuk është fundi i jetës tonë, gjithçka ka një zgjidhje. Ndërsa Qeveria, duhet të mendoj t’i mbështes disa nisma për ndihmë psikologjike ndaj të rinjve”, përfundoi ajo.
Nga ana tjetër, sociologu Ali Pajaziti, shprehet se ky fenomen është rrjedhim i dinamizmit të skajshëm të jetës, i ndryshimit të raporteve familjare dhe i humbjes së peshës së institucioneve tradicionale. “Mjetet e komunikimit masiv dhe rrjetet sociale sjellin edhe risi të tipit akteve suicidale që herë-herë ‘reklamohen’ edhe pa dashje. Duhet që personave që janë në krizë, t’iu zgjatet dora nga të afërmit, duhet vrapuar sa s’është vonë me këshilla, shoqërim, biseda, duhet treguar në praktikë se jeta është e bukur edhe kur kemi telashe”, thotë Pajaziti. Ndryshe, vlen të theksohet se Kryqi i Kuq në vendin tonë në fillim të korrikut ka hapur Qendër për ndihmë të parë psikologjike dhe mbështetje psikosociale. Sipas tyre, qëllimi i punës së Qendrës për mbështetje psikosociale të Kryqit të kuq do të zbatohen aktivitete të qëndrueshme për ndërtimin e kapaciteteve qytetare dhe kombëtare për të siguruar ndihmën e parë mbështetje psikologjike dhe psikosociale për grupe të ndryshme të synuara.