Fetai: Festa e Bajramit, sjell gëzim për të gjithë ne
Po përjetojmë Festën e Madhe të Kurban Bajramit, festë e cila sjell gëzim të madh për të gjithë ne, në familjet tona dhe mbarë myslimanët në vend dhe më gjerë. Kurban Bajrami është Festë e madhe sepse në vete përmban shumë dimensione historike dhe shoqërore me domethënie të jashtëzakonshme për njerëzimin në përgjithësi, e për besimtarët në veçanti:
“Në këto ditë përfundoi zbritja e Kur’anit Famëlartë, me çka Islami mori formën e tij përfundimtare si fe dhe sistem jete, pa kufizime në kohë dhe hapësirë. Kryhet kushti i pestë islam, Haxhi, dhe gjatë ditëve të Kurban Bajramit realizohet detyra e therjes së kurbanëve që paraqet porosinë kryesore për afirmimin dhe forcimin e dinjitetit njerëzor. Këtë na e vërteton edhe rasti i Ibrahimit a.s., kur ai deshi ta realizojë premtimin dhënë të Madhit Zot, mori birin e tij ta flijojë në emër të Tij, në atë moment, në vend të të birit, atij iu dhurua kafsha për kurban. Ky akt edhe njëherë, në mënyrë konkrete dhe decide e potencoi dhe e vërtetoi vlerën dhe dinjitetin e njeriut ndaj krijesave tjera”, deklaroi Shaqir fetai, kryetar i BFI-së.
Sipas Reisul-Ulemas së BFI-së, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai Festa e Kurban Bajramit është festë e gëzimit të madh sepse me aktin e therjes të kurbanit besimtari e ngrit veten lartë duke shfaqur bindjen e vërtetë në një Zot, dhe kultivon moral të lartë, mbisundon epshin dhe emocionet.
“Me këtë sakrificë për hir të Zotit synojmë të mbisundojmë ndaj materiales dhe epsheve tona.
Festa e Kurban Bajramit formon ambientin e paqes dhe tolerancën në mes njerëzve, është festë e gëzimit të ndërsjellë, afrimit në mes njerëzve, kujdes ndaj të varfërve, shtrirja e dorës së pajtimit, i buzëqeshjes me të tjerët, i shërbimit ndaj të tjerëve, i gatishmërisë për vepër madhore dhe vetëdijes për të triumfuar e mira dhe e vërteta, ndaj të keqes. E gjithë kjo ka një qëllim arritjen e kënaqësisë së Krijuesit tone”, deklaroi Fetai.