Maqedoni

Premtime pa fund: Deri në vitin 2023, me rrugë rajonale do të lidhen Kërçova e Dibra me Shqipërinë, premtoi Zaevi

Ka përfunduar analiza e fizibilitetit dhe prokurimi publik për zgjedhjen e kompanisë e cila do të ndërtojë rrugën rajonale që do të lidhë Kërçovën, Dibrën dhe kufirin e Qafë Thanës.

Me këtë projekt, që pritet të jetë edhe vazhdimësi e “Rrugës së Arbrit” që është ndërtuar në Shqipëri, pritet të lidhet Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria me rrugë që përmbushin standardet e larta të sigurisë në komunikacion dhe të qarkullimit më të shpejtë të mallrave.

Megjithatë, nuk ka një paralajmërim se kur do të nisin punimet në terren për të njëjtën.

“Pas seancës së përbashkët qeveritare që e kemi pasur në Pogradec kemi sjell vendim dhe nga atëherë edhe Republika e Maqedonisë së Veriut. Pjesa nga Dibra deri te kufiri ka përfunduar rehabilitimi. Në këtë periudhë ka përfunduar analiza e fizibilitetit, ku dokumenti kryesor ka përfunduar. Në vitin 2021, sipas programit të punës së Ndërmarrjes Publike “Rrugë Shtetërore” është shpallur prokurim publik për zgjedhjen e realizuesit të punimeve dhe si ofertë më e mirë për ndërtimin e rrugës rajonale në gjatësi prej 19 kilometrash. Kjo rrugë do të ndihmojë lidhjen më të mirë mes Kërçovës, Dibrës dhe kufirit me Shqipërinë të cilat për momentin pamundësohet”, njoftoi Zoran Zaev, kryeministër i Maqedonisë së Veriut, transmeton TV21.

Paralajmërohen vetëm përfundimet e punimeve.

“Presim që ky projekt të realizohet deri në vitin 2023”, tha Zaev.

Më 14 prill kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama derisa inspektoi tunelin në pjesën e fundit të kësaj rruge, paralajmëroi se së shpejti do të funksionalizohet e njëjta, megjithatë ende nuk ka një lëshim në përdorim dhe funksionalizim të tërësishëm të kësaj rruge.

“Rruga e Arbrit” ka 7 tunele dhe është e gjatë 74 kilometra. Parasheh shkurtimin e rrugës ekzistuese nga Tirana deri në Dibër në gjatësi prej 180 kilometrash./TV21