SHBA-ja ia bën me dije Serbisë: Vrasjen e vëllezërve Bytyqi nuk do ta harrojmë
Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia kanë bërë të ditur edhe një herë Serbisë, se hetimi për vrasjen e vëllezërve shqiptarë me shtetësi amerikane Yll, Agron e Mehmet Bytyqi dhe dënimi i përgjegjësve për këtë krim, mbetet një prej prioriteteve për marrëdhënie të mira mes këtyre dy vendeve.
Ambasada amerikane në Beograd, të enjten përmes një komunikate ka thënë se ky krim, ndonëse sot janë mbushur 22 vjet qëkur është kryer, nuk është harruar dhe nuk do të harrohet.
SHBA-ja thotë se ata u zhdukën teksa ishin në paraburgim nga policia serbe dhe se u vranë me duar të lidhura.
“Kanë kaluar 22 vjet që kur tre amerikanë, Yll, Agron dhe Mehmet Bytyqi, u zhdukën ndërsa ishin në paraburgim të policisë speciale serbe. Trupat e tyre u zbuluan më vonë në një bazë në Petrovo Selo në Serbinë Lindore, nën kontrollin e një njësie të udhëhequr nga Goran Radosavljeviq – Guri. Vëllezërit Bytyqi u ekzekutuan, u qëlluan në kokë me duart e lidhura pas shpine, megjithatë pas më shumë se dy dekadash nuk ka pasur një hetim të plotë. Ne nuk mund dhe nuk do ta harrojmë këtë krim”, thuhet në komunikatë.
Sipas SHBA-së, autoritetet serbe nuk kanë kryer punën e ntyre, megjithëse kishin premtuar këtë. Madje, se fundi, Radosavleviq, të cilin SHBA-ja e mban përgjegjës për krimin pasi ishte komandant policie në vendin ku ndodhi krimi, është nderuar me mirënjohje nga Serbia për punën e tij me uniformë.
“Dhënia e drejtësisë për vëllezërit Bytyqi dhe familjen e tyre dhe mbajtja e përgjegjësisë për ata që kanë kryer dhe mbuluar vrasjet e tyre mbetet një prioritet në marrëdhëniet tona me Serbinë. Qeveria e Shteteve të Bashkuara përsëri u bën thirrje autoriteteve serbe, të cilët kanë premtuar të ndihmojnë në këtë rast ndër vite, për një hetim të plotë. Kjo çështje, dhe shumë të tjera, ilustrojnë nevojën urgjente që Serbia të zgjidhë hetimet e pazgjidhura të krimeve të luftës dhe të përqendrohet në forcimin e sundimit të ligjit”, thuhet në komunikatë.
Vëllezërit Bytyqi kishin lënë SHBA-në ku jetonin për të luftuar përkrah ushtarëve të tjerë të UÇK-së, Pas luftës ata u arrestuan ë kufirin Kosovë – Serbi dhe pas disa ditësh zyrtarisht u liruan, por nga ai moment u zhdukën. 8 korriku 1999 kujtohet si dita e vrasjes së tyre. Pas dy vjetësh, mbetjet mortore të tyre ishin gjetur në Petrovo Selo. /KOHA.NET/