Kosovë

Kurti paralajmëron ndryshim të marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se nuk do të ketë zbatueshmëri të marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, në formën e ratifikuar më 2018-ën, në Kuvendin e Kosovës.

Kurti në seancën e sotme, mes tjerash u shpreh se si Qeveri do të angazhohen që pronat e Trepçës, të cilat janë në hapësirën e ish-Jugosllavisë, jashtë territorit të Kosovës, të bëhen të shtetit të Kosovës, njofton Klan Kosova.

”Janë së paku 22 prona të Trepçës, në hapësirën e ish-Jugosllavisë, e jashtë territorit të Republikës tonë. E ne si Qeveri do të angazhohemi në këtë drejtim që ajo që ka qenë e Kosovës, të bëhet e Kosovës edhe nëse nuk është tani”.

”Siç jeni në dijeni Komisioni Shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit nuk ka mandat. Në momentin që do ta kemi një komision të ri të emëruar, do të trajtohen të gjitha çështjet që kanë mbetur pezull përmes mekanizmave të veçantë që do t’i rekomandojë ky komision”.

”E unë do të bëjë maksimumin që të korrigjojë gjithçka që është bërë padrejtësisht gabueshëm, e dëmshëm në vitin 2018 kur u pat ratifikuar ajo marrëveshje, e cila ia humbi territorin e saj Kosovës”.

”Unë do të përdori mekanizmat, sa më shpejtë që mundem, sa më shumë që mundem, në mënyrë që të korrigjojë gabimet fatale të tmerrshme që patët bërë ju në legjislaturën e kaluar”.