Rajon - Botë

SHBA, rritet në 36 numri i viktimave në ndërtesën e shembur në Miami

Është rritur në 36 numri i viktimave që janë gjetur në punimet e kërkim-shpëtimit në rrënojat e ndërtesës 13-katëshe e cila u shemb pjesërisht më 24 qershor në rajonin Surfside të Miamit në shtetin Florida të SHBA-së, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kryebashkiakja e Miamit, Daniella Levine Cava tha se në punimet që vazhdojnë në rrënojat e ndërtesës, janë gjetur trupat e 4 personave të tjerë.

Ajo më tej shtoi se 29 nga 36 trupat e gjetur janë identifikuar dhe se nën rrënoja ndodhen ende 109 persona.

Pjesa tjetër e ndërtesës së mbetur u shemb në mënyrë të kontrolluar më 4 korrik në orën 22:30 sipas kohës lokale me arsyen se pjesa tjetër e mbetur e ndërtesës në fjalë nuk ishte e sigurt për shkak të uraganit tropikal Elsa që iu afrua Floridas.

Gjysma e godinës luksoze me 270 apartamente u shemb papritmas

Në vendbanimin Surfside me një popullsi prej rreth 5.600 banorësh në veri të Miami Beach më 24 qershor u shemb papritmas gjysma e godinës luksoze 13-katëshe “Champlain” me 270 apartamente.

Zyrtarët e Surfside në shkresat e kryera me administratorët e ndërtesës në vitin 2018, tërhoqën vëmendjen se në ndërtesën e ndërtuar në vitin 1981 ka një dëm të madh strukturor dhe se ka nevojë për riparime në vlerën prej rreth 9 milionë dollarë për kolonat e krisura dhe betonin i cili ka filluar të shkërmoqet.