VIDEO: Shqiptarët e Sarajevës dhe SHKA “Jeta e Re” nga Sllupçani organizuan manifestimin më të bukur në diasporë për 17 vjetorin e pavarësisë së Kosovës
Në Bosnje e Hercegovinë jetojnë diku rreth 40 ijë shqiptarë, disa prej viteve të 50-ta, disa të shkuar në vitet e 80-ta, e disa edhe më vonë.
Organizimi i tyre në funksion të ruajtes dhe kultivimit të traditës, kulturës dhe gjuhës shqipe, ka marë një vrull të vërtetë me formimin e Qendrës Kulturore Shqiptare në Bosnje e Hercegovinë, në krye me Mitat Fidanin.
Ky activist i palodhshëm me prejardhje nga Balin Dolli i Gostivarit, çdo ditë e më tepër po e arsyeton epitetin e ambasadorit të shqiptarëve në Bosnje e Hercegovinë, të cilin ia kanë dhënë shumë mediume në Maqedoni, Kosovë e Shqipëri. Këtë epitet e dëshmoi edhe me rastin e 17 Shkurtit të këtij viti, me ç’rast kjo Qendër Kulturore organizoi manifestimin më të bukur dhe më madhështor për sivjet të 17 Shkurtit në diasporë.
Ekipi i portalit Lideri.mk pa hezitimi e pranoi ftesën për të qenë pjesë e kësaj feste mes bashkëkombasve tanë në Sarajevë, kurse edhe një herë hasëm në mikpritjen tashmë të njohur të Qendrës Kulturore dhe z. Mitat Fidani.
Madhështi të veçantë manifestimit i dha Shoqata Kulturore Artistike nga fshati Sllupçan i Likovës (Kumanovës), që ishin të ftuar të posaçëm në manifestim.
Me një spektër të larmishëm programor, artistët e kësaj shoqate krijuan një atmosferë fantastike kombëtare, të cilës do ia kishin lakmi edhe shoqatat dhe asamblet tona më të mëdha shtetërore.
Manifestimi filloi me një fjalim mjaft emocional të kryetarit Mitat Fidani, pastaj me një fjalim të mysafirit të posaçëm, kryetarit të Gostivarit, Valbon Limani, mysafir ishte edhe gjenerali i famshem shaiptar Halil Bicaj, kurse vazhdoi edhe me fjalime dhe paraqitje tjera të radhës.
Kulminacioni i manifestimit u arrit me këngët dhe valet e SHKA “Jeta e Re”, por edhe me këngët e kënduara nga këngëtari i njohur boshnjak me prejardhje shqiptare, Shaqir Ahmeti.
Një pjesë të emocionit të këtij manifestimi, mund ta përcillni në videon më poshtë që portal Lideri.mk ka përgatitur për ju. (Q. Bajrami)