Deputetët e VMRO-së, VLEN-it dhe ZNAM-it dorëzuan interpelancë në Kuvend për pesë anëtarë të Këshillit Gjyqësor
Deputetët e shumicës parlamentare VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM sot kanë dorëzuar interpelancë për punën e peë anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të cilët janë zgjedhur nga Kuvendi, gjegjësisht Pavlina Cërvenkovska, Selim Ademi, Milazim Mustafa, Tanja Çaçarova Ilievska dhe Vesna Dameva, shkruan Alsat.
\Koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski, tha se duhet të ketë përgjegjësi për anëtarët e Këshillit, ndërkaq pasi të votohet interpelanca do të shihen veprimet e mëtutjeshme të Këshillit.
“Deputetët e grupit të deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit, bashkë me deputetët e shumicës parlamentare, kolegët nga VLEN dhe ZNAM, dorëzojmë interpelancë për punën e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të cilët janë zgjedhur nga ana e Kuvendit. Plotësisht, dua të theksoj se grupi i deputetëve VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit, votuan kundër raportit vjetor për punën e Këshillit Gjyqësor për vitin 2023 dhe ai nuk u miratua nga ana e Kuvendit. Kjo, mjaftueshëm flet dhe është vetëm një prej shumë arsyeve për çka sot e dorëzojmë këtë interpelancë”, tha Nikolla Micevski, deputet i VMRO-DPMNE.
Nga koalicioni VLEN, theksojnë se përbërja aktuale e Këshillit Gjyqësor nuk ka kredibilitet moral pasi zhvillon politika ditore dhe për këtë, duhet të mbajnë llogari.
“Duhet të jemi të kujdesshëm kur të ndërhyjmë në sistemin gjyqësor, por padyshim që ne kemi theksuar edhe më parë, theksojmë edhe tash se Këshilli Gjyqësor si organi më i lartë i sistemit të gjyqësisë, i cili bën zgjedhjen e gjyqtarëve, emërimin dhe shkarkimin e gjyqtarëve është një organ i cili fatkeqësisht për shoqërinë tonë zhvillon politika ditore të subjekteve të caktuara politike. Ky Këshill Gjyqësor me këta anëtarë nuk ka kredibilitetin e caktuar moral, nuk ka integritetin e caktuar gjyqësor që të ushtroj funksionin e tij”, u shpreh Fatmir Sabriu, VLEN.
E Majta, shpreh skepticizëm në lidhje me motivet politike për reformat në Këshillin Gjyqësor, ndërkaq paralajmëroi se do ta shqyrtojnë votimin e interpelancës.
“Do ta shqyrtojmë interpelancën, por sërish qëndrimi ynë politik është që Këshilli Gjyqësor nuk e punon punën e saj siç duhet, për atë propozojmë ndryshime në Kodin Penal, ndërkaq skepticizmi ynë është në pikëpamje të motiveve politike të VMRO-DPMNE-së”, theksoi Amar Mecinoviq, E Majta.
Nga LSDM, paraprakisht kanë theksuar se për reformat në Këshillin Gjyqësor nevojitet qasje mbipartiake që do të sigurojë reforma sipas standardeve evropiane. Siç theksoi Venko Filipçe, nevojitet të formohet një grup i përbashkët punues në Kuvend, i cili do t’i definojë dhe bashkë zbatojë reformat.
Votimi i interpelancës, nuk nënkupton shkarkim me automatizëm të anëtarëve, pasi sipas Ligjit për Këshillin Gjyqësor, anëtarëve të këshillit mund t’u ndërpritet mandati në disa raste.
Edhe atë, nëse vetë kërkojnë, nëse shkarkohet nga funksioni i gjykatësit apo nëse dënohet me aktgjykim të plotfuqishëm për vepër penale të detyrës dhe autorizimit zyrtar. Bazë për ndërprerjen e mandatit është edhe nëse konstatohet paaftësi e përhershme për kryerjen e funksionit dhe nëse zgjedhet në funksion ose profesion tjetër. Votimi i interpelancës shihet si mekanizëm presioni që t’i detyrojë anëtarët vetë të japin dorëheqje. / Alsat.mk