Mickoski: A do t’i kthejmë nga Soravia 50 milionë eurot për Tatimin Solidar?
Kryeministri Hristijan Mickoski ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Tatimin Solidar, vendim i cili e obligon qeverinë t’u kthen rreth 50 milionë euro për kompanitë që janë përfshirë në këtë tatim.
Duke folur para gazetarëve, Mickoski tha se është një vendim i pritur, për rrezikun e të cilit ka paralajmëruar që kur ka qenë në opozitë, shkruan portali Lideri.mk.
Kryeministri ka kritikuar edhe disa institucione ndërkombëtare, pa i përmendur me emra, se e kanë përkrahur këtë “egërsi”.
Ai tha se dëmin tani duhet ta paguajnë qytetarët.
“Kush do ta paguajë dëmin. A do ta paguajmë nga Soravia, a do ta paguajmë nga Rolls Royce, apo nga kompanitë fantome energjetike?”, pyeti Mickoski.
Ai theksoi se ky vendim i Gjykatës Kushtetuese është në dëm të pushtetit aktual, me çka, sipas tij, bien në ujë akuzat e shprehura nga parti opozitare se Mickoski kontrollon anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.