Këshilli Gjyqësor do të formojë komision i cili duhet të konfirmojë nëse ka pasur lëshime në procedurat e kaluara gjyqësore të të akuzuarit Vasil Jovanov
Këshilli Gjyqësor sot duhet të formojë komision i cili do t’i shqyrtojë të gjitha dosjet lidhur me rastet e mëparshme gjyqësore të të akuzuarit për aksidentin në “Aradhet partizane” Vasil Jovanov, ku jetën e humbi 22-vjeçarja Frosina Kullakova, pas çka do të dalë me qëndrim nëse ka pasur lëshime në procedurat e mëparshme gjyqësore të të akuzuarit Jovanov.
Këtë e paralajmëroi kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski, ndërsa vijon pas vërejtjeve të dhëna në publik lidhur me rastet e mëparshme gjyqësore të të akuzuarit Vasil për aksidentin në “Aradhet partizane”. Ai dje informoi edhe se një komision i Këshillit Gjyqësor tashmë i shqyrton dosjet dhe do të veprojë për të gjitha vërejtjet në publik.
“Filluam me shqyrtimin e rasteve, ndërsa nesër edhe formalisht do të formohet komision nga ana e Këshillit Gjyqësor dhe pas mbikëqyrjes së kryer në ato dosje do të dalim me qëndrim nëse ka pasur ose nuk ka pasur lëshime. Do të shqyrtohen të gjitha vërejtjet të cilat ishin thënë në publik dhe do të veprohet pas të gjithave”, tha Kambovski.
Gjyqtarët dhe Dega e Shoqatës së Gjyqtarëve të RMV-së në Gjykatën Themelore Penale Shkup, dje në një deklaratë për media shprehin keqardhje të thellë për humbjen e jetës të Frosina Kulakovës në aksidentin rrugor që tronditi opinionin por, siç thonë ata, të nxitur nga reagimet e stuhishme të opinionit për një çështje gjyqësore me aktgjykim jo të formës së prerë për Vasil Jovanovin, për një rast krejtësisht tjetër, vlerësojnë se si gjykatës është e nevojshme t’i drejtohen publikut për të mbrojtur reputacionin e pushtetit gjyqësor, por edhe për të mohuar të gjitha spekulimet dhe lajmet e rreme.
“Para së gjithash, lidhur me aktgjykimin penal për çështjen K.nr. 1439/24 kundër V.J. , e informojmë opinionin se bëhet fjalë për veprën penale të narkotikëve dhe ende nuk është marrë një vendim i formës së preë, përkatësisht është në fazën e vendimmarrjes në Gjykatën e Apelit të Shkupit. Gjyqtarja Daniela Aleksovska-Stojanovska me rastin e marrjes së vendimit të sanksionimit ka vepruar tërësisht në përputhje me dispozitat ligjore, bindjen e lirë gjyqësore dhe praktikën e vendosur gjyqësore. Kjo vlen edhe me citatin e prokurorit publik, i cili në fjalën e tij përmbyllëse thotë: …. i pandehuri është shumë i ri dhe nuk ka qenë në konflikt të mëparshëm me ligjin, ndaj në këtë çështje komplekse, më së shumti për shkak të moshës së të pandehurit dhe faktit se ai vjen nga një familje bashkëkohore funksionale, i mbetet gjykatës për të përcaktuar sanksionimin më të mirë, i cili do të ndikojë që i pandehuri të kuptojë se ka ndërmarrë veprime të paligjshme”, bëhet e ditur në kumtesë.
Njëherësh, theksohet edhe se nuk janë të sakta spekulimet se i pandehuri ka qenë i dënuar më parë dhe ndaj tij janë zhvilluar proçedime të tjera penale, gjë që duket edhe nga pretendimet e Prokurorisë Publike dhe Zyrës së Procedurave Penale. Por cilat janë ato 10 kallëzimet e famshme që i njëjti gjyqtar ka vepruar për të njëjtin të pandehur, parashtrojmë pyetjen edhe ne, sepse të tilla denoncime nuk janë proceduar në gjykatë.
Si gjyqtarë, i bëjmë thirrje institucioneve kompetente gjyqësore që të përdorin mekanizmat për shqyrtimin e aktgjykimit të shkallës së parë dhe të konstatojnë nëse ka pasur mangësi apo lëshime të mundshme në procedurë dhe nëse ka pasur kushte për përjashtim të këtij rasti nga ana e gjyqtares, në kontekstin e të gjitha spekulimeve për lidhjen e saj me familjen e të pandehurit. I bëjnë thirrje publikut, siç bëjnë të ditur, që të mos iu nënshtrohet provokimeve, lajmeve të rreme dhe spekulimeve, si dhe stigmatizimit dhe linçimit të një gjyqtari për hir të arritjes së qëllimeve të tjera.
“Derisa të kuptohen arsyet e dështimeve të tilla, mundësia e përsëritjes së tyre rritet. Prandaj, në emër jo vetëm të viktimës së fundit, por në emër të të gjitha viktimave të mëparshme në qarkullimin rrugor, shprehim ngushëllimet tona dhe kërkojmë që me qasje racionale dhe objektive të përcaktohen shkaqet e këtyre ngjarjeve fatkeqe për të ndërtuar një shoqëri më të sigurt për qytetarët, në emër të së cilës nxjerrim aktgjykimet, citohet në deklaratën e gjyqtarëve dhe Degës së Shoqatës së Gjyqtarëve të RMV-së në Gjykatën Themelore Penale Shkup.
Babai i Frosinës, Todor Kulakov, në ditarin e televizionit Sitel ku ishte mysafir, ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e publikut dhe ka paralajmëruar se protestat do të vazhdojnë para institucioneve dhe do të bëhen gjithnjë e më masive. Ai tha se do të kërkojnë dënimin maksimal, burgim të përjetshëm, për autorin e aksidentit automobilistik që humbi jetën Frosinën. Ai do të kërkojë ekspertizë si nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike ashtu edhe nga organe të tjera të pavarura. Sipas Kulakov, shpejtësia me të cilën lëvizte Vasil Jovanov ishte mbi 160 ose 180 kilometra në orë.
“Kur merret në mënyrë kumulative shqiptohet një dënim mbi 40 vjet. Nuk ka pasur të drejtë të drejtojë makinën pa patentë shoferi, ka ndezur semaforin e kuq, ka vozitur nën efektin e alkoolit, me shpejtësi trefishin e lejuar. Ne po jetojmë pasojat e kësaj. As ai dhe as prindërit e tij nuk kanë një kokërr pendimi, por vetëm po kërkojnë ta kryejnë edhe këtë herë punën”, tha ndër të tjera Kulakov.
Në shtëpinë ligjvënëse nesër do të mbahet debati publik për ndryshimet ligjore për forcimin e sigurisë në komunikacion. Grupet parlamentare të VMRO-DPMNE-së, “VLEN” dhe ZNAM kanë dorëzuar të hënën kërkesë në Kuvend për mbajtjen e seancës publike me qëllim të analizimit dhe konstatimit të nevojës për ndryshimin e rregulloreve ligjore për rritjen e sigurisë së qytetarëve në komunikacion. Anëtarët e Komisionit me 11 vota “për” votuan që të premten të mbahet debat publik me temën “Analiza dhe konstatimi i nevojës për ndryshimin e rregulloreve ligjore për forcimin e sigurisë në komunikacion”.
Nisma për debat publik pasoi aksidentin tragjik të trafikut javën e kaluar ku humbi jetën studentja 22-vjeçare nga Negotina, Frosina Kulakova. Ajo është përplasur në një vendkalim për këmbësorë në bulevardin “Aradhat partizane” në Shkup më 29 janar nga 20-vjeçari Vasil Jovanov, për të cilin raportohet se ka qenë duke vozitur në gjendje të dehur, pa patentë shofer dhe në semafor të kuq. Ngjarja ka shkaktuar bujë në publik, sidomos pasi mësohet se autori ka qenë më herët në konflikt me ligjin dhe në momentin që ka kryer krimin ishte ende i lirë. Ai do të përgjigjet për veprën më të rëndë në sferën e sigurisë në komunikacion dhe atë me dashje, njoftoi në një konferencë për media prokurori publik shtetëror Lupço Kocevski.
Sipas këtij kualifikimi të veprës për të cilën dyshohet Jovanov, i cili për momentin po vuan paraburgim 30-ditor në INP Burgu “Shkup”, sipas Kodit Penal mund të marrë dënim me burg prej katër deri 20 vjet.