Haradinaj: Për shkak të Kurtit dy mijë punëtorë në Gjakovë e kanë humbë vendin e punës
Ramush Haradinaj, kandidati i AAK-së për kryeministër, ka thënë se Qeveria Kurti i ka larguar nga puna dy mijë punëtore të korporatës Devolli në Gjakovë.
Në emisionin Rubikon të Klan Kosovës, ai ka theksuar se Qeveria i ka fajet që vendi nuk është duke u zhvilluar në sektorin e bizneseve dhe ekonomisë, dhe jo sipërmarrësit.
“Mungesa e investimeve dhe presioni që është duke i bërë presionit privat e ka ulur numrin e zonjave apo grave të punësuara. Rasti që u përmend në Gjakovë janë mbi dy mijë të punësuara që e kanë humbur vendin e punës prej kësaj qasje të Qeverisë, jo nga privati, por privati i ka marrë me qejf në punë”.
“Kryesisht kanë qenë gra të punësuara që vijnë nga zonat rurale të Kosovës. Për shembull ai që ka ditur t’i bëjë si rasti konkret, ta zëmë korporata Devolli, Z. Shkëlqim Devolli, ai që ka ditur një herë t’i bie në punë 5 mijë veta, ai edhe për pesë vjet i bën në 10 mijë punëtorë”.
“Është e vetmja herë që ndonjëherë një qeveri e ka ulur numrin e punëtorëve, ia ka qit prej punë qeveria dy mijë njerëz, situata e punëtorëve në sektor privat nuk është e mirë jo për shkak të sipërmarrësve, por të qeverisë”