Maqedoni

Kumanovë/ Hekurudha bllokon rrugët, banorë protestojnë – ndërhynë Policia

Banorëve të lagjes Kumanova e re në Kumanovë, po u mbyllet rruga përmes së cilës kalonin ata por edhe bagëtitë e tyre. Në këtë pjesë për momentin po ndërtohet hekurudha që çon drejt Bullgarisë, shkruan Alsat.

Banorët nuk janë kundër hekurudhës, por kërkojnë t’u lihet një hapësirë e vogël, sa për të kaluar. Përndryshe janë të detyruar të ecin afro dy kilometra deri në rrugë kryesore, e të rrezikojnë jetën edhe të bagëtive por edhe të shoferëve.

“Neve na duhet një rrugë për të shkuar delet dhe lopët në kullosë. Kemi 30hektarë tokë tona dhe tani “Hekurudha e Maqedonisë” po na e mbyllë rrugën.
Këtu e keni pasur daljen apo?
Po këtu e kemi pasur daljen dhe hyrjen.
E tani me mbylljen e kësaj rruge çka ju pamundësohet?
Me mbylljen e kësaj rruge ne tani vetëm na ngelet t’i marrim kafshët dhe t’i dërgojmë në treg, tjetër rrugëdalje s’kemi”, tha Ali Abazi – Banor.

“Ne vetëm atë rrugë e kërkojmë. Edhe ndonjë rampë nëse ka nevojë shteti ta vendosë, tjetër gjë nuk kërkojmë”, tha Sevdail Abazi – banor.

E kur banorët dolën për të parë çfarë po ndodhë, policia arrestoi njërin prej tyre.

“Unë e lash makinën në rrugë, më thanë hiqe makinën ose e thërrasim “merimangën”. Djali i axhës doli, dhe për asnjë arsye e kapën e arrestuan dhe e dërguan në polici”, theksoi Ali Abazi – Banor.

Alsat kërkoi qëndrim nga Hekurudhat e Maqedonisë për kërkesat e banorëve, megjithatë deri në këto momente asnjë përgjigje.