Përplasen Krenar Lloga dhe Arben Fetai
Krenar Lloga nga ASH-Sela ka reaguar ndaj deklaratave të Arben Taravarit në Daily Click në TV21, i cili tha se “Kodin Penal e ndryshoi Krenar Lloga nën diktat të Ali Ahemtit dhe me qëllim e liruan Sasho Mijallkovin dhe Nikolla Gruevskin”. Lloga thotë se pikërisht Taravari ka kërkuar shërbime për Gruevskin, ndërsa shton se këtë mund ta faktojë.
“Me përgjegjësinë më të lartë morale, penale dhe materiale mund të deklaroj se i vetmi individ që ka kërkuar shërbim për Nikolla Gruevskin është Arben Taravar, dhe këtë të paktën në dy raste, gjë që mund ta faktoj.
P.S. Për ndryshimet e Kodit Penal botërisht dihet se unë kam qenë kundër, dhe kjo është e dëshmuar edhe në propozimin e qeverisë, ku nuk figuron aspak emri im. Hakmarrja për mosmbështetjen time ndaj atyre ndryshimeve ishte mosvotimi i Ligjit për Amnisti në Kuvend. Këto qëndrime z. Taravar i ka shprehur edhe vetë disa herë nëpër studio televizive. Tani, duke mos pasur si të arsyetohet për dështimin total si politikan dhe si ministër i shëndetësisë, ose si “ministër i vdekjes së fëmijëve,” përpiqet të defokusojë opinionin”, ka shkruar Lloga.
Arben Fetai i përgjigjet Llogës: Tentim për të shmangur përgjegjësinë personale për ndryshimin e kodit Penal
Zëvendëskryeministri Arben Fetai përmes një reagimi në profilin e tij në FB i ka reaguar ish bashkëpartiakut të tij nënkryetarit të ASH-së – krahu i Selës, Krenar Lloga pasi ky i fundit tha se Taravari ka kërkuar dy herë shërbime për Gruevskin. Në postimin e tij zëvendëskryeministri Fetai thekson se “Kjo nuk është asgjë më pak se një përpjekje kamikaze për të shmangur përgjegjësinë e tij personale për ndryshimin skandaloz të Kodit Penal — ndoshta akti më kriminal politik në historinë e vendit” shkruan Top24
Krenar Lloga paska deklaruar se Arben Taravari i ka kërkuar shërbim për Gruevskin. Kjo nuk është asgjë më pak se një përpjekje kamikaze për të shmangur përgjegjësinë e tij personale për ndryshimin skandaloz të Kodit Penal — ndoshta akti më kriminal politik në historinë e vendit.
Faktet janë të pamohueshme: Kodi Penal u ndryshua ndërkohë që Lloga ishte Ministër i Drejtësisë, dhe këto ndryshime u firmosën nga zëvendësministrja, me bekimin dhe aprovimin e tij të heshtur. Nëse nuk ishte dakord, ai duhej ta shkarkonte zëvendësministren ose thejsht të jepte dorëheqjen. Por, duke u fshehur pas zëvendëses së tij në mënyrë qyqare, Lloga tregoi se nuk ishte as udhëheqës i ministrisë së tij dhe as përfaqësues i drejtësisë.
Krenar, nëse ke prova për pretendimet e tua, dil dhe tregoji! Dil burrë, sepse nuk mund të fshihesh përjetësisht pas manipulimeve. Shërbim më direkt dhe më të madh se ndryshimi i Kodit Penal, Gruevskit dhe Mijallkovit nuk u ka bërë as Grubi i listës së zezë amerikane.