Shqipëri

Rama shpalli Shtetin Bektashi, Berisha: Thikë pas shpine ndaj besimit mysliman dhe një akt antikombëtar

Ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit Anastas Janullatos, ishte hapja e fjalës që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama mbajti në 95-vjetorin e vendosjes së Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Shqipëri.

“Më lejoni t’i bashkohem edhe unë shprehjes së keqardhjes për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit Anastas Janullatos dhe duke uruar që të prehet në paqe, t’i përcjell ngushëllimet e mia të gjithë bashkëpunëtorëve të tij dhe anëtarëve të komunitetit të besimtarëve ortodoksë”.

Miqve që e kishin ftuar në këtë përvjetor, u premtoi shpalljen e krijimit të Shtetit Bektashi, duke garantuar çdo skeptik se statusi i posaçëm i selisë së Kryegjyshatës Botërore nuk cenon aspak sovrantitetin territorial.

“Historia e bektashinjve është në vetvete thirrja imponuese për t’i dhënë selisë së Kryegjyshatës Botërore, përmes një statusi të ngjashëm me atë të Vatikanit, fuqinë e një embleme e cila nuk do të përçajë askënd, e cila nuk do të kërcënojë askënd, e cila nuk do të vërë në diskutim sovranitetin territorial, integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë”, deklaroi ai.

Rama shpjegoi edhe arsyet që sipas tij e shtynë drejt pranimit të kësaj ideje.

“Është një borxh që ne mund ta njohim dhe duhet ta njohim them unë si shqiptar. Unë për veten mund të mos jem i zoti të bëj të gjithë ato të mira që duan shqiptarët, por emrin tim në listën e atyre që i kanë bërë keq këtij vendi, nuk e fus. Gjithkush duhet ta shohë si detyrim, si detyrim për të mos e lënë të vdesë, por për t’ia garantuar vazhdimësinë e jetës, frymës së ngjizur në fletoren e bektashinjve të shkruar nga Naim Frashëri dora vetë”, u shpreh kryeministri shqiptar.

Kryegjyshi botëror i bektashinjve Haxhi Dede Edmond Brahimaj e cilësoi historike këtë ditë, teksa falënderoi qeverinë shqiptare dhe kryeministrin Rama.

“Stabilizimi i mundshëm i një Urdhri Bektashian, do kujtohej prej nesh jo vetëm si dëshmi, por edhe faktori i ri për harmoninë mes komunitetit tonë dhe komuniteteve të tjera në botë”, tha Baba Mondi.

Krijimi i këtij shteti do t’i japë Urdhrit Bektashi sovranitet të ngjashëm me Vatikanin dhe do ta lejojë atë të qeverisë në mënyrë autonome çështjet fetare dhe administrative. Ai do të shtrihet në një territor prej 27 hektarësh ku ndodhet edhe Kryegjyshata Botërore. Që ky shtet i ri brenda Shqipërisë të realizohet duhet të marrë miratimin nga Parlamenti. Në ceremoni morën pjesë edhe krerët e komuniteteve të tjera fetare në Shqipëri. /KlanTV

Berisha: Shpallja e shtetit islamik nga Rama, thikë pas shpine ndaj besimit mysliman dhe një akt madhor antikombëtar

Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar kundër një vendimi të kryeministrit Edi Rama për shpalljen të shtetit islamik në Shqipëri. Përmes një postimi në Facebook, Berisha e ka quajtur këtë akt një thikë pas shpine për besimin mysliman dhe një veprim të madh antikombëtar.

Berisha shprehet se historia e klerikëve patriotë bektashinj dëshmon përkushtimin e tyre ndaj sovranitetit dhe pavarësisë së vendit, dhe jo krijimin e principatave fetare. Ai ka akuzuar Ramën se po tenton të thellojë përçarjen fetare në vend dhe të shndërrojë Shqipërinë në epiqendër të trafiqeve ndërkombëtare kriminale.

Berisha gjithashtu ka paralajmëruar se ky veprim është antikushtetues dhe cënon harmoninë fetare, një nga vlerat kryesore të kombit shqiptar. Partia Demokratike, ka theksuar Berisha, do të qëndrojë fuqishëm në mbrojtje të tolerancës fetare dhe do të respektojë me rigorozitet parimin e ndarjes së shtetit nga feja. Po ashtu, ai ka garantuar bektashinjtë dhe të gjitha komunitetet fetare në Shqipëri se kjo forcë politike nuk do të njohë akte të tilla që bien ndesh me interesat kombëtare.

Postimi i plotë:

Shpallja e shtetit islamik nga Edi Rama është thikë pas shpine ndaj besimit mysliman në Shqipëri dhe një akt madhor antikombëtar!
Klerikët patriotë bektashinj kanë luftuar për sovranitetin dhe pavarësinë e Shqipërisë dhe jo kurrë për principata fetare, sepse ishin atdhetarë të flaktë dhe jo trafikantë e tradhtarë antishqiptarë.
Me këtë akt antikushtetues, ky antishqiptar i damkosur kërkon të fusë në Shqipëri përçarje të thellë fetare, të përdorë territorin e Shqipërisë si pronë private të tij dhe grupeve antishqiptare që përfaqëson dhe të krijojë një epiqendër të trafiqeve kriminale ndërkombëtare.
Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe projektin e shtetit Islamik Bektashinj brenda territorit të Shqipërisë dhe garanton bektashinjtë shqiptarë dhe të gjitha komunitetet tona fetare se ajo, duke respektuar me rreptësi parimin e ndarjes së shtetit nga feja, do qëndrojë në krah të tyre e palëkundur në mbrojtje të harmonisë dhe tolerancës së shkëlqyer fetare të kombit tonë dhe nuk do njohë kurrë krijesa të tilla antikushtetuese e antishqiptare.