BallinaMaqedoni

A po shpreson Merko se do të del nga “Lista e Zezë” me ardhjen e administratës Trump?

Kryetari i komunës së Strugës, Ramiz Merko, vetëm dy orë pas betimit të Donald Trampit si president i ri i Shteteve të Bashkuara, nxitoi ta urojë atë me fjalët më të përzgjedhura.

“Zoti e bekoftë Amerikën”, ka shkruar Merko në urimin e tij.

“Ju urojmë një mandat dhe udhëheqje të suksesshme, që do të sjellë përparim dhe unitet për të gjithë popullin amerikan. Shpresojmë që gjatë kësaj periudhe, mbështetja e SHBA-së për Ballkanin të vazhdojë, të jetë e fortë dhe e pranishme, duke forcuar bashkëpunimin dhe stabilitetin në rajon. Udhëheqësit e mëdhenj ndërtojnë ura bashkëpunimi, dhe shpresojmë që partneriteti midis Shteteve të Bashkuara dhe vendeve tona të vazhdojë të jetë një shembull suksesi në të ardhmen. Zoti e bekoftë Amerikën dhe të gjithë popujt që besojnë në paqe dhe përparim”.

Urimi i Merkos, që u postua në profilin e tij në FB dhe në faqen zyrtare të Komunës së Strugës, është interesant për opiniinin, sepse ai është në Listën e Zezë të SHBA-së për gati dy vite. Kjo ishte arsyeja që autoritetet gjyqësore në vend të ngrenë disa akuza kundër Merkos për shpërdorim detyre dhe autorizim.

Analistët të cilët ka konsultuar portali Lideri.mk vlerësojnë se te shumë politikanë të vendit tonë vërehet shpresa se administrata e re amerikane do i largon nga “Lista e Zezë”. Ata besojnë se një shpresë e tillë me siguri ekziston edhe tek kryetari i Strugës, Ramiz Merko.

Por a janë reale këto pritje?

“Edhe nëse administrata e re amerikane nuk ndryshon të ashtuquajturën ‘Listë e Zezë’ te politikanët tanë që janë pjesë e asaj liste po vërehet tentim për të krijuar përshtypje se kjo listë me zgjedhjen e presidentit të ri amerikan Donald Trump tani ështe relative dhe produkt i politikave të administratës së kaluar të presidentit Bajden. Si duket qëllim për të krijuar përshtypje të tillë ka edhe i pari i Strugës, Ramiz Merko”, analizon politologu Ejup Berisha.