Situatë alarmante në Kumanovë, gjysëmvjetori i dytë filloi me 174 nxënës më pak
Shumë banka shkollore në vend janë boshatisur edhe gjatë këtij gjysëmvjetori, kurse shifrat më alarmante janë në Kumanovë, transmeton portali lideri.mk, ku fletëçregjistrim kanë kërkuar 174 nxënës, fëmijë që do të plotësonin rreth 8 paralele shkollore.
Braktisje ka edhe në qytete dhe komuna të tjera anembanë vendit, si në Tetovë me 74 nxënës më pak në shkolla, kurse në Manastir ku shkollat i kanë braktisur 27 fëmijë. Sipas ekspertëve, një pjesë e vogël e tyre kanë ndërruar shkolla brenda vendit dhe pjesa dërmuese po largohen, raporton televizioni Kanal 5.
-Natyrisht, problemi më i madh demografik, sepse emigracioni i vazhdueshëm i popullsisë, dhe në parim i popullsisë së re që mbart zhvillimin e ardhshëm demografik, lë pasoja konstante. Së pari, merr drejtpërdrejt një pjesë të popullsisë dhe së dyti, indirekt ndikon në lindshmërinë e ardhshme dhe kjo shumëfishohet në 20-30 vitet e ardhshme me brezat e ardhshëm që nuk janë këtu. Një problem i madh, për fat të keq i është kushtuar shumë pak rëndësi në të kaluarën, dhe me sa shoh edhe tani, përveç se është theksuar si problem, nuk po ndërmerren masa për zgjidhjen e tij – tha Apostol Simovski ish-drejtor Enti Shtetëror i Statistikave.
Shëndetësia dhe arsimi jo cilësor, ajri i ndotur, mosfunksionimi, arsyet e emigrimit janë të shumta, thotë profesori universitar dhe sociologu Ivan Atanasovski. Sipas tij, edhe qytetarët me të ardhura më të larta po largohen në kërkim të një sistemi më të mirë për fëmijët e tyre. Zgjidhjen ai e sheh në integrimin në BE, sepse qytetarët e Maqedonisë po ikin atje në kërkim të vlerave, transmeton Lideri.mk.
Sipas regjistrimit të fundit, mbi 250 vendbanime në vend kanë mbetur bosh dhe janë shumë të tjera që do të kenë të njëjtin fat, pasi në to jetojnë deri në 10 banorë në moshë të shtyrë. Me ikjen e fuqisë punëtore, ekspertët mendojnë se së shpejti do të duhet të importojmë punëtorë nga vendet që janë në gjendje më të keqe socio-ekonomike se Maqedonia.