Maqedoni

Mucunski zhvilloi bisedë me shefin e ri të diplomacisë bullgare, Georgiev: Të forcojmë parneritetin

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, pati bisedë telefonike me shefin e ri të diplomacisë bullgare, Georg Georgiev. Siç është raportuar në rrjetin X, Mucunski në bisedë ka shprehur vendosmërinë e tij për avancimin e bashkëpunimit dhe forcimin e partneritetit.

Mucunski gjithashtu e përgëzoi Georgiev për emërimin e tij në këtë pozitë.

“Kam pasur bisedën e parë telefonike miqësore me Georg Georgiev, ministrin e ri të Punëve të Jashtme të Bullgarisë. E përgëzova për emërimin e tij dhe shpreha vendosmërinë tonë për të forcuar partneritetin, për të avancuar bashkëpunimin dhe për të kontribuar së bashku në stabilitetin rajonal dhe përparimin e përbashkët”, shkroi Mucunski në X.

Kujtojmë se Parlamenti bullgar votoi dje Qeverinë e re të udhëhequr nga kryeministri Rosen Zheljaskov.

Kryeministri i ri falënderoi partitë politike që morën pjesë në negociatat për formimin e qeverisë dhe prezantoi përbërjen dhe synimet e saj.

Qeveria përbëhet nga 19 ministra, dy prej të cilëve do të mbajnë postin e zëvendëskryeministrit, ndërsa një nënkryetar do të jetë ministër pa portofol.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese.