Maqedoni

Merko padit Qokun për shpifje

Seanca e sotme gjyqësore, ku kryetari i Komunës së Strugës, Ramis Merko, paditë deputetin e VLEN-it nga Struga, Bekim Qoku, për shpifje është prolonguar, për shkak se Qoku ka kërkuar nga gjykata që të sigurojë përkthyes në gjuhën shqipe. Gjykata nuk mund ta siguronte atë sot, pas çka avokati i Merkos kërkoi që seanca të shtyhet, ndërsa seanca e radhës është caktuar për 8 maj. Padia është për shkak se më shumë se një vit e gjysmë më parë, në një portal lokal, Qoku ka shkruar se Merko është i korruptuar, pas çka ky i fundit ka ngritur padi kundër tij. Sot, të dyja palët duhej të dilnin me fjalët përmbyllëse. Merko tha në seancën e parë se pohimet e Qokut e kanë shqetësuar atë dhe familjen e tij. Qoku e vlerëson padinë e Merkos si tragjikomike.

“Unë nuk paditem nga Ramiz Merko, unë paditem nga një sistem i degraduar i drejtësisë, paditem nga një mentalitet socio-kulturor që lejon që fjala e lirë të mbytet. Pra, flasim për Bekim Qokun, në kohën kur nuk ka qenë deputet, kjo duhet të kujtohet. Kam qenë pjesë e shoqërisë civile i pa përfshirë në asnjë parti politike. Pra, ai e gjen dobësinë e qytetarit të lirë që ka guximin t’i kundërvihet dhe i ngre padi sepse unë atë e kam cilësuar të korruptuar. Tjetra është që ai aktualisht, mbi të rëndojnë nëntë kallëzime penale nga Prokuroria Publike republikane për korrupsion, për keqpërdorim të detyrës dhe për ndërhyrje në gjyqësi. Pra pas gjithë këtyre problemeve që i ka ai me drejtësinë, ai e vazhdon me këmbëngulje procesin ndaj meje”, deklaroi Bekim Qoku, deputet i VLEN.

Në njoftimin e Qokut atëherë mes tjerash qëndronte:

“Derisa parimi i Ali Ahmetit dhe Artan Grubit, që BDI duhet të pastrohet nga figurat e vjetra të korruptuara, është i çalë pikërisht nga fakti se në krahët e tyre mbajnë një nga figurat më të korruptuara dhe më anormale, Ramis Merkon.”- Shkrimi i Bekim Qokut në FB

Parimi i Ahmetit dhe Grubit, që BDI duhet të pastrohet është i çalë
Në krahët e tyre mbajnë një nga figurat më të korruptuara dhe më anormale, Ramis Merkon
Në padinë e avokatit të Merkos, Igor Petkoski, thuhet se me një deklaratë të tillë nga Qoku, Merkos i është cenuar nderi dhe reputacioni.

“Duke marrë parasysh se paditësi ka përjetuar stres pas leximit të tekstit në fjalë, para ngritjes së kësaj padie, ai i është drejtuar një eksperti nga profesioni mjekësor – specialist në psikiatri, me qëllim të përcaktimit të dhimbjes shpirtërore tek ai, e që është shkaktuar si pasojë e shpifjeve dhe fyerjeve të shprehura nga i pandehuri. Në konstatimin dhe mendimin e ekspertizës, të përgatitur nga ekspertja Isabella Fillov nga Manastiri, psikiatër specialist, vërtetohet se paditësi ka përjetuar dhimbje shpirtërore për shkak të sulmit ndaj reputacionit dhe nderit.”

– Padia e avokatit të Ramis Merko.

– Paditësi ka përjetuar stres

– Paditësi ka përjetuar dhimbje shpirtërore

Merko kërkon përcaktimin e përgjegjësisë për fyerje dhe kompensim në shumën prej 30,000 denarë. Vetëm një muaj pas kësaj ekspertize, Departamenti amerikan i Shtetit e vendosi Merkon në Listën e Zezë të SHBA-së dhe e shpalli atë person nongrata, për shkak të korrupsionit dhe ndikimit mbi lëndët gjyqësore. Për momentin, ka nëntë gjykime aktive kundër Merkos dhe ai do të ulet në bankën e të akuzuarve më 24 janar. /alsat.mk