Suela, 10 vjeçarja nga Malsia e Madhe që sfidon acarin për të shkuar në shkollë (Video)
Kjo është Lëpusha, një nga fshatrat turistik në Malësinë e Madhe, që me petkun e bardhë të dëborës krijon një pamje magjike. Por të jetosh në këtë zonë veçanërisht gjatë stinës së dimrit nuk është e lehtë. Aq më tepër kur bëhet fjalë për një 10 vjeçare, e cila duhet të përballojë çdo mëngjes bashkë me qenin e saj besnik, të ftohtin e acartë, erërat dhe rrugën e vështirë më dëborë për të shkuar në shkollë.
A2 shoqëroi një mëngjes Suelën e cila me modesti dhe thjeshtësi tregon sakrificën që bën, por që për të është kthyer në një përditshmëri.
Ndërsa shoqërojmë Suelën nxënësen e vetme, në shkollën e Lëpushës mësuesi ka ardhur më herët, ka nisur të pastrojë shkallët nga dëbora si dhe të ndezë sobën në mënyrë që Suela të gjejë një ambient sa më të ngrohtë për të zhvilluar mësimin.
Historia e Suelës përveç se na tregon pasionin dhe dëshirën e saj dhe të mësuesit për të ndjekur arsimin, na tregon edhe anën tjetër, atë të shpopullimit të kësaj zone. Mësuesi dhe Suela ndoshta janë nga të vetmit që kanë mbetur në zonë, pasi shokët dhe shoqet e tyre janë larguar.
Vetë mësuesi tregon se para 4-5 vitesh shkolla kishte më shumë nxënës, ndërsa sot atë e frekuenton mes vështirësive vetëm Suela.
Edhe pse e vogël Suela e kupton që është e vetme dhe se vendlindja e saj po shpopullohet dhe ndoshta për këtë arsye i ka vënë synim vetes që të bëhet një infermiere që të ndihmojë personat që jetojnë ende atje.