Tenderë pa kritere në Lotarinë Shtetërore të RMV-së në kohën e Përparim Bajramit
Gjithsej 11 nga 12 tenderët e analizuar për promovim dhe marketing të Lotarisë Shtetërore në kohën e ish-drejtorit Përparim Bajrami janë realizuar në kundërshtim me Ligjin për Prokurime Publike. Këtë e ka konstatuar eksperti i angazhuar nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, i cili i ka analizuar tenderët e realizuar, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Kritere të padefinuara (shtesë) për vlerësimin e zgjidhjeve të përzgjedhura në tenderët për promovim dhe marketing, vlerësime subjektive të anëtarëve të Komisioneve për vlerësim, gjë që sjell rrezik nga diskriminimi dhe bllokimi i konkurrencës në procedurat.
Ky është formulimi më i shpeshtë në gjetjet e fituara nga “skanimi” i tenderëve në Lotarinë Shtetërore, rast ky i hapur nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) pas hulumtimit të Radios Evropa e Lirë të publikuar më 20 nëntor të vitit 2023.
Inspektimi i atëhershëm i strukturës së pronësisë së kompanive fituese nxorri në pah se një pjesë e madhe e tenderëve janë fituar nga kompani të afërta apo të lidhura familjarisht me “Arbëria Design” dhe “Ars Lamina”, kompani që për më pak se një dekade, gjegjësisht nga viti 2014, ishin shtëpi botuese me kontrata ekskluzive për shtypjen e teksteve sipas planprogramit mësimor “Cambridge”.
Në vitin 2015 “Arbëria Design“ ishte një nga donatorët më të mëdhenj të partisë politike BDI, ndërsa në vitin 2022 e fitoi tenderin nga Ministria e Sistemit Politik për organizimin e përvjetorit të Marrëveshjes Kornizë.
Pas hulumtimit KSHPK-ja sipas zërit të dëgjuar hapi lëndë dhe angazhoi një ekspert të jashtëm për ta përgatitur ekspertizën për mënyrën se si janë zhvilluar procedurat e prokurimit publik.
Në dokumentet në të cilat kishte qasje Radio Evropa e Lirë eksperti i angazhuar ka theksuar se mendimi juridik bazohet vetëm në dokumentacionin që është dorëzuar për inspektim dhe për të cilin nuk mund të garantohet se është i plotë dhe i kompletuar.
“Gjendjet e konstatuara tregojnë për ekzistimin e rrezikut të mospërputhjeve në zbatimin e Ligjit për Prokurime Publike, por nuk paraqesin garanci për rezultatin përfundimtar të ndonjë procedure para autoriteteve kompetente që mund të kundërshtohen në të ardhmen”, thuhet në analizë.
Çfarë është zbuluar?
Me analizë janë përfshirë katër tenderë të fituar nga kompania “Pointer” për të cilën Radio Evropa e Lirë raportoi se ishte në pronësi të Zoran Fidanoskit, i cili është vëllai i Darko Fidanoskit, njërit prej pronarëve të “Ars Lamina”.
Tenderi për marrjen me qira të portaleve në internet dhe për një fushatë marketingu për një lojë shpërblyese të Lotarisë Shtetërore kap vlerën e 243.902 eurove. Oferta ekonomikisht më e favorshme zgjidhet në bazë të raportit midis çmimit – 60 pikë dhe cilësisë – 40 pikë.
Eksperti i angazhuar nga KSHPK-ja deklaroi se për rezultatin përfundimtar të shumës së pikëve është definuar një formulë, por nuk janë definuar kriteret shtesë për vlerësimin e zgjidhjes sipas së cilave do të udhëhiqej Komisioni i vlerësimit për ta eliminuar rrezikun nga subjektivizmi.
“Pavarësisht se me dokumentacionin e tenderit është shënuar përmbajtja e vendimit të PR, nuk është definuar qartë se mbi bazë të cilave kritere anëtarët e komisionit të posaçëm e bazojnë vlerësimin e tyre për cilësinë e tij, përveç vlerësimit subjektiv… Mund të konkludohet se organi kontraktues nuk ka vepruar në përputhje me nenin 99 të Ligjit për Prokurime Publike”, thuhet në analizë.
Gjithashtu, thuhet se kriteri i cilësisë nuk është i definuar në atë mënyrë që do të mundësonte një pasqyrë të vlerësimit të ofertave nga një këndvështrim objektiv, gjë që paraqet rrezik për diskriminim të operatorëve ekonomikë dhe zvogëlim të konkurrencës në procedurë.
Të ngjashme apo identike janë edhe formulimet në analizë për gjetjet dhe për tre tenderët e tjerë të fituara nga “Pointer” në vlerë prej 609.756 euro – për marketing të Lotarisë Shtetërore, markës korporative, organizim të lojë shpërblyese.
“Arbëria Design” dhe “Litera Group”
Analiza i thekson si problematikë edhe shtatë tenderë të fituar nga këto dy kompani për ribrendim, fushata promovuese, mbështetje për shitje dhe aktivitete promovuese.
Kompania nga Tetova “Arbëria Design“ figuronte si klient edhe i “Hej dooel”, kompania e Asmir Jahoskit, pronarit të “Pucko Petrol”, të cilës i janë paguar mbi 300.000 euro për qira, për marrjen me qira të një ish-lokali për dasma nga Lotaria Shtetërore. Me ardhjen e Qeverisë së re kjo marrëveshje u ndërpre dhe për të u tha se përmban elemente të veprës penale.
Tenderi i analizuar nga KSHPK-ja për ribrendimin e markës korporative të Lotarisë Shtetërore përmes logos së re dhe realizimit të një fushate reklamuese ka një vlerë prej 243.902 eurove.
Edhe në këtë rast eksperti i angazhuar nga KSHPK-ja ka konstatuar se “pavarësisht se në dokumentacionin e tenderit renditet përmbajtja e dokumenteve të kërkuara, nuk është e definuar qartë se mbi cilat kritere anëtarët e Komisionit të posaçëm do ta bazojnë vlerësimin e cilësisë, përveç vlerësimit subjektiv”.
Në kontrollin shtesë të procedurës thuhet se mënyra se si ishte definuar që Lotaria Shtetërore të përzgjedhë ofertën më të favorshme nuk ka ndikuar aspak në rezultatin e procedurës, sepse “Arbëria Design” ka qenë i vetmi ofertues.
Në përgjithësi, konkluzionet e njëjta vlejnë edhe për prokurimet publike të fituara nga “Litera Group DOOEL Shkup”. Pronari i saj është Afet Iljazi nga Tetova, për të cilin mediat shkruan se ka qenë redaktor në shtëpinë botuese
“Arbëria Design“, ndërsa një kohë ka qenë edhe person për kontakt për procedurat e tenderimit.
Për tenderët në Lotarinë Shtetërore në analizën e KSHPK-së janë konstatuar edhe aspekte të tjera problematike për kushtet në të cilat janë fituar ato.
Kështu, në tenderin e fituar për materiale të brenduara dhe të printuara për mbështetjen e aktiviteteve për shitje dhe promovim, u konstatua se nuk ishte e definuar saktë lënda e prokurimit, gjegjësisht nuk ishin definuar sasitë e sakta të mallrave që organi kontraktues planifikon t’i blejë.
“Duke i krahasuar të dy ofertat mund të konstatohet se disa nga artikujt në ofertën e përzgjedhur si më e favorshme kanë çmime shumë më të ulëta se çmimet e ofruara nga ofertuesi i dytë, por Komisioni për Prokurime Publike nuk ka kërkuar shpjegim për këtë çmim kaq të ulët, prandaj ekziston rreziku që këto mallra të mos porositen aspak ose, nëse porositen, të jenë të cilësisë së ulët… Metoda e prokurimit mundëson përcaktimin subjektiv të mallit që do të blihet, zvogëlimin të cilësisë së tyre, formimin subjektiv të “çmimeve që ndikojnë më tej në përdorimin ekonomik të fondeve dhe konkurrencën në procedurë, në kundërshtim me nenet 4, 5 dhe 110 të Ligjit për Prokurime Publike”, thuhet në dokument.
Pothuajse identike janë edhe konkluzionet për dy tenderët e tjerë të fituar nga Litera Group – për blerjen e materialeve për zyra me vlerë rreth 5.000 euro dhe materialeve të brenduara për aktivitete promovuese (bluza pambuku, USB, topa antistres dhe shishe sportive alumini) për një çmim prej 16.260 eurosh, pra artikuj të paqartë të blerjes dhe sasi të padefinuara saktë.
KSHPK-ja ka kërkuar informacion shtesë nga Prokuroria dhe Drejtoria e Policisë Financiare – për atë nëse kanë hapur lëndë lidhur me tenderët në Lotarinë Shtetërore.
Gjetjet e ekspertit të angazhuar nga KSHPK-ja kanë qenë gati që në kohën e udhëheqësisë së mëparshme, e cila ia ka lënë si trashëgimi përbërjes aktuale të KSHPK-së.
Mirëpo, ata nuk e panë dritën e diellit pasi kësaj lënde i është “ngjitur” edhe një lëndë tjetër për Lotarinë Shtetërore. Bëhet fjalë për një kontratë për marrje me qira të një ambienti afarist në Vizbeg të Shkupit në vlerë prej 2.6 milionë euro.
Me shkarkimin e ish-drejtorit Përparim Bajrami, njeriu i parë i Lotarisë Shtetërore Aleksandar Klimovski njoftoi, ndërsa Qeveria e ndërpreu kontratën për qiramarrje. Kryeministri Hristijan Mickoski theksoi se kjo marrëveshje është bazë për fillimin e një procedure penale.
Për këtë rast tashmë po punon edhe Drejtoria e Policisë Financiare. Si pjesë e dokumentacionit tashmë të mbledhur është edhe një procesverbal i Lotarisë Shtetërore, e cila në shtator ka angazhuar një vlerësues i cili ka konstatuar se çmimi i qirasë për metër katror në atë zonë të Shkupit sillet nga 2,5 – 4,5 euro.
Ndërsa sipas kontratës së lidhur me kompaninë “Hej DOOEL” qiraja për metër katror ka qenë dy deri në tre herë më e lartë. Përveç kësaj shqyrtohet edhe nëse Lotaria Shtetërore vërtet ka pasur nevojë për një objekt të ri.
Drejtuesja e parë e “Hej DOOEL” ka qenë kushërira e ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi, ndërsa vëllai i bashkëshortit të saj ka qenë pjesë e sigurimit të ish-ministrit të sistemit politik dhe marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve.
Më vonë pronar i objektit u bë Аsmir Jahoski, i cili është pronar i kompanisë “Pucko Petrol” dhe djali i deputetit të BDI-së, Ismail Jahoski.
Veprimet e institucioneve të drejtësisë deri më tani kanë rezultuar në dy hetime të ndryshme – njëri për përvetësim të mbi 8 milionë eurove në Lotarinë Shtetërore për blerjen e aparateve VLT, ndërsa tjetri për tenderët për blerjen e TV aparateve nga kompania “Ritron Kopi” nga Kumanova.
Për blerjen e terminaleve të videollotarisë Prokuroria Themelore Publike ka kërkuar masën e paraburgimit për ish-drejtorin Përparim Bajrami dhe ish-zëvendëskryeministrin Artan Grubi. Të dy nuk janë të disponueshëm për autoritetet maqedonase dhe për ta janë lëshuar urdhërarreste ndërkombëtare.
Për Аrtan Ajrulin, pronar i kompanisë “Ritron Kopi”Prokuroria kërkoi, ndërsa Gjykata Penale ia sekuestroi pasaportën dhe i urdhëroi që të paraqiten në gjykatë.
Kronologji për rastin ‘Lotaria Shtetërore’
Më 29 dhjetor prokurori republikan Lupço Kocevski tha se nuk ka të dhëna për vendndodhjen e ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi. Kurse kreu i BDI-së Ali Ahmeti tha se ka informacione se ku ndodhet Grubi.
Më 24 dhjetor, Gjykata Themelore Penale në Shkup e ka refuzuar si të pabazë ankesën e avokatit të Artan Grubit kundër vendimit me të cilin atij i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Më 23 dhjetor ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski tha se asnjë vend fqinj nuk ka dorëzuar konfirmim në MPB-në e RMV-së nëse Grubi ndodhet në territorin e tyre.
Më 21 dhjetor zëvendëskryeministri Izet Mexhiti deklaroi se Artan Grubi ndodhet në Shqipëri, e jo në Kosovë
Më 20 nëntor u pezullua nga puna polici i cili mundësoi arratisjen e Artan Grubit.
Më 20 dhjetor avokati i Grubit Vlladimir Donevski tha se nuk ka bazë për dyshim të kryerjes së veprës penale të parashikuar me ligj.
Më 18 dhjetor konsulli i nderit i Kosovës në vend, Arsim Papraniku u mor në pyetje në polici për shkak të dyshimeve se e ndihmoi Grubin të arratiset.
Më 18 dhjetor 2024 Ministria e Punëve të Brendshme lëshoi fletarrest ndërkombëtar për Artan Grubin dhe ish-drejtorin e ‘Lotarisë Shtetërore” Përparim Bajramin.
Më 17 dhjetor 2024 Prokuroria Themelore Publike në Shkup kërkoi fletarrestim ndërkombëtar për Artan Grubin dhe Përparim Bajramin.
Më 17 dhjetor 2024 Gjykata Themelore Penale Shkup u caktoi paraburgim prej 30 ditëve Artan Grubit dhe Përparim Bajramit.
Më 17 dhjetor 2024 Ministria e Punëve të Brendshme dorëzoi kallëzime penale në Prokurorinë Publike kundër ish-kryeministrit Dimitar Kovaçevski, ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi, ish-sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Metodija Dimovski dhe ish-drejtorit të Lotarisë së RMV-së Përparim Bajrami dhe pesë personave të tjerë për “keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorimi i procedurës së shpalljes publike, dhënies së kontratës së prokurimit publik ose partneritetit publiko-privat”.
Më 16 dhjetor 2024 Prokuroria Publike në Shkup propozoi paraburgim për Artan Grubin dhe Përparim Bajramin si të dyshuar për rastin ‘Lotaria Shtetërore’.
Më 16 dhjetor 2024 Policia e RMV-së bastisi shtëpinë e Artan Grubit dhe Përparim Bajramit pas dyshimeve për krim të organizuat në Lotarinë Shtetërore. Asnjëri nga ata nuk u gjetën në shtëpitë e tyre
Më 16 dhjetor 2024 Prokuroria Publike njoftoi se dy persona dyshohen për veprën penale – Përvetësim në detyrë, ndërsa katër persona të tjerë për veprën penale – Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar
Më 16 dhjetor 2024 Policia Financiare ka paraqitur kallëzim penal kundër Përparim Bajramit, në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm të Shoqërisë Aksionare për Organizimin e Lojërave të Fatit të Lotarisë Shtetërore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, për shkak të “ekzistimit të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar”,
Ndryshe, më 10 dhjetor 2024 Prokuroria Publike hapi lëndë ndaj Artan Grubit pasi ai u fut në Listën e Zezë të SHBA-ve për korrupsion. Artan Grubi, së fundmi, është tërhequr nga jeta publike, pas shpalljes së emrit të tij në Listën e Zezë amerikane. Me këtë rast, në njoftimin zyrtar të Departamentit të Shtetit Amerikan thuhet se Artan Grubi bashkë me gjykatësin e Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti janë të përfshirë në korrupsion në procesin gjyqësor të Sasho Mijallkovit, ish-drejtorit të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim në Maqedoninë e Veriut, i cili gjithashtu është në Listën e Zezë.