DiasporaMaqedoni

Studenti shqiptar nga Maqedonia me shqiponjën kuq e zi paraqitet në ceremoninë e diplomimit në Amerikë

Adem Dalipi, me prejardhje shqiptare por që ka lindur e është rritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe që ka mahnitur me talentin e tij në muzikë, së fundmi ka diplomuar në Northern Illionis. Gjatë ceremonisë së diplomimit, Dalipi ka vendosur shallin me shqiponjë, duke treguar me krenari se është shqiptar.

Në fotografitë e publikuara në rrjete sociale, ai ka treguar se gjatë ceremonisë ka qenë i shoqëruar nga familjarët e tij, duke i falënderuar që e kanë mbështetur që nga dita e parë.

Gjithashtu, ai ka treguar se ka diplomuar një vit më herët, mirëpo përgjatë kësaj kohe, ai ka krijuar kujtimet më të mira, për të cilat është mirënjohës gjithmonë.

Prindërit e tij kanë lindur në Maqedoni, në Kërçovë dhe më pas janë transferuar në ShBA, dhe më pas kanë lindur djalin e tyre, Adem Dalipi.
I lindur dhe i rritur në Amerikë, Dalipi kishte deklaruar më parë për KultPlus se gjërat nuk ishin të lehta për të dhe për familjen e tij në ShBA.

“Unë kam lindur në Amerikë më 2003 dhe jam rritur aty. Prindërit më merrnin bashkë me vëllain dhe ktheheshim verës në shtëpi për ta vizituar familjen dhe për të mësuar më shumë rreth fshatit dhe kulturës sonë. Në Amerikë pata shumë keqkuptime për shkak të emrit, por sidoqoftë sfondi im kulturor ishte i ndryshëm sepse ne angazhoheshim në komunitetin shqiptar që na rrethonte”, ishte shprehur ai.