Maqedoni

Ministri Perinski në Manastir: Bashkërisht deri tek një ligj i përmirësuar për Vetëqeverisjen Lokale, me praktika evropiane dhe të harmonizuar me nevojat e qytetarëve dhe komunave

Manastri sot ishte nikoqir i takimit të parë konsultativ për ndryshimet dhe plotësimet e paralajmëruara të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, të organizuar nga Ministria për Vetëqeverisje Lokale dhe i mbështetur nga projekti “Fuqizimi i Këshillave Komunalë”, i financuar nga Qeveria e Zvicrës dhe Ministria për Vetëqeverisje Lokale, bashkëfinancuar dhe implementuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim – UNDP, në bashkëpunim me institucione të tjera kombëtare dhe ELS.

“Siç e kemi paralajmëruar, deri në ligj të ndryshuar, përmirësuar dhe të modernizuar për vetëqeverisjen lokale, të përshtatur për nevojat e qytetarëve dhe komunave tona do të arrijmë përmes debateve të gjëra, të hapura dhe publike. Kjo ngjarje është e para nga një seri e planifikuar në këtë proces, ku mbështetje dhe partneritet të pakushtëzuar po marrim nga Qeveria e Zvicrës dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim – UNDP. Pjesëmarrja juaj dhe mendimet konstruktive do të kenë rëndësi të madhe, sepse pikërisht në këtë fazë të konsultimeve po formojmë hapat e nevojshëm për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit,” theksoi ministri Zllatko Perinski në hapjen e ngjarjes, ku morën pjesë kryetarë komunash nga rajoni i Pollogut dhe Jugperëndimit, mikpritësi, kryetari i Manastirit, Toni Konjanovski, pjesë e ekipit të ekspertëve të përfshirë në procesin e ndryshimeve të Ligjit, prof. dr. Aleksandar Spasenovski, prof. dr. Gordan Georgiev dhe prof. dr. Memet Memeti, si dhe përfaqësues të sektorit qytetar dhe të shoqatave joqeveritare.

Sipas ministrit Perinski, arsyeja për ndryshimin ose plotësimin e Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale janë dobësitë e identifikuara gjatë zbatimit të tij për 20 vjet. Aspektet kyçe të ndryshimeve të planifikuara, theksoi Perinski, përfshijnë rritjen e transparencës dhe llogaridhënies, përmirësimin e pjesëmarrjes së qytetarëve, krijimin e shërbimeve të inspektorëve komunalë dhe zhvillimin e zonave të pazhvilluara mjaftueshëm.

Ministri theksoi se iniciativa kryesore për hapjen e Ligjit është mundësia për shkarkimin e kryetarit të komunës, duke rritur transparencën dhe llogaridhënien në punën e përditshme të vetëqeverisjeve lokale, si dhe krijimin e mbikëqyrjes komunale në përputhje me kompetencat e vetëqeverisjes lokale.

“Kjo duhet të rregullohet me Ligjin për Aktivitetet Komunale, pasi aty është e përshkruar tërë çështja, por si detyrim në të ardhmen, kryetarët e komunave duhet ta kenë këtë përgjegjësi dhe duam ta implementojmë në këtë zgjidhje të re ligjore, për të parandaluar ndryshimet devijuese. Inspektorët komunalë do të jenë një detyrim për kryetarët e komunave,” shtoi ministri.

“Pikërisht këto ndryshime të planifikuara do të jenë shumë të dobishme për qytetarët dhe komunat,” theksoi kryetari i Manastirit, Toni Konjanovski, i cili shprehu kënaqësinë që ministri Perinski vendosi që përmirësimi i kuadrit ligjor të bëhet në mënyrë transparente, përmes debateve të hapura dhe të gjera që nisin pikërisht nga Manastiri.

Në procesin e përgatitjes së kornizës ligjor të përmirësuar është përfshirë edhe një grup ekspertësh të angazhuar nga UNDP dhe Qeveria e Zvicrës, dhe një nga ta është prof. dr. Aleksandar Spasenovski, i cili theksoi se tani kemi një zgjidhje ligjore të mirë dhe parimore, që ka kaluar provën e kohës.

“Megjithatë, si rezultat i zbatimit të tij për dy dekada, natyrshëm janë shfaqur disa dobësi që po mundohen të tejkalohen. Ne, si ekspertë të angazhuar nga UNDP, si pjesë e këtij procesi, kemi për qëllim që, përmes analizimit të praktikave më të mira krahasuese evropiane, si dhe sugjerimeve nga komunat, të krijojmë ndryshime që do të pasqyrojnë konsensusin më të gjerë në shoqëri dhe në Kuvend,” theksoi Spasenovski.

Pjesë e ekipit të ekspertëve është edhe prof. dr. Gordan Georgiev, i cili falënderoi ministrin Perinski dhe UNDP për vendosmërinë për të hapur këtë proces të ndërlikuar. “Vullneti është i fortë, dhe qëllimi është i mirë dhe i sinqertë. Ne, si ekspertë, duam të vërtetojmë se bëhet fjalë për një qëllim të mirë që besoj se do të japë fryte,” tha Georgiev.

“Ky është një proces konsultativ i hapur dhe inkluziv që do të adresojë dobësitë që do të pranohen nga të gjithë qytetarët,” shtoi prof. dr. Memet Memeti, pjesë e grupit ekspert.

Në takimin konsultativ, u sqarua se procesi i punës i grupit të ekspertëve, përbëhet nga katër hapa metodologjikë kryesorë, që do të përfshijnë një analizë të thelluar të kuadrit ekzistues, një proces konsultativ që do të rezultojë me hartimin e ndryshimeve të draftit, të cilat do të prezantohen për miratim.