Bora ka zbardhur Malësinë e Tetovës, Komuna: Kemi hedhur krip dhe rërë në rrugë
Pas reshjeve të borës në malësi të Tetovës, nga komuna thonë se mbrëmë kanë hedhur rërë dhe krip, por që sipas tyre gjatë pastrimit kanë haur në probleme, pasi shumë nga banorët kanë parkuar veturat e tyre në rrugë, duke ua vështirësuar autoriteteve intervenimin, përcjell TV21. Nga komuna e Tetovës apelojnë deri te banorët që të kenë kujdes me parkimin.
“Kompania e kontraktuar nga komuna e Tetovës, për pastrimin dhe mirëmbajtjen dimërore të rrugëve mbrëmë ka hedhur rërë dhe krip në rrugët e fshatrave të malësisë së Tetovës, për të mundësuar kështu qarkullim të lirë dhe pa pengesa. Po ashtu Ju bëjmë thirrje banorëve të Malësisë së Tetovës që të mos i parkojnë veturat në rrugë dhe të pengojnë procesin e punës kompanisë kontraktuese për pastrimin e borës. Hedhja e rërës dhe kripës do të vazhdojë edhe gjatë këtyre ditëve për shkak të temperaturave të ulëta dhe paralajmërimit të reshjeve të borës”, thonë nga komuna e Tetovës.