BallinaMaqedoni

Sulmet ruse në Ukrainë kanë dëmtuar ambasadën e së Veriut në Kiev

Ministria e Punëve të Jashtme ka njoftuar se në serinë e sulmeve me raketa që ndodhën mëngjesin e sotëm në kryeqytetin e Ukrainës, është dëmtuar edhe ndërtesa në të cilën ndodhet Ambasada e Maqedonisë së Veriut në qendër të Kievit.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme dënon ashpër sulmet e sotme me raketa nga ushtria ruse në Kiev. Në të njëjtën kohë, ju informojmë se gjatë sulmit është prekur edhe infrastruktura kritike në rajonin e Holosejevit, duke përfshirë edhe ndërtesën ku ndodhen gjashtë ambasada, përfshirë edhe Ambasadën e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Kiev. Asnjë personel diplomatik nuk u lëndua gjatë sulmit, por dëme materiale janë shkaktuar në Ambasadë. Shërbimet kompetente kanë kryer kontrollin fillestar të dëmtimeve në vend dhe tashmë po punohet për riparimin e tyre”, thonë nga MPJ.

Ambasada maqedonase në Kiev, nuk ka qenë shënjestër e drejtpërdrejtë e sulmeve, por shënjestër, me shumë gjasa, ka qenë një objekt aty pranë që përdoret nga shërbimet e sigurisë-ushtarake të Ukrainës.

Ambasada e vendit në Kiev ndodhet në rrugën 12 Ivan Fedorov.

Herët në mëngjes mediat botërore raportuan se një sërë sulmesh me raketa janë kryer në Kiev, duke shkaktuar dëme materiale në të gjithë kryeqytetin e Ukrainës.

Edhe kryebashkiaku i Kievit konfirmoi se disa shpërthime u regjistruan në disa lokacione në qytet, si dhe se mbetjet e granatës së rënë në zonën e Kholostivit dogjën disa makina.