BallinaMaqedoni

“Fishekzjarrët”, Drin Ahmeti i shpëtoi ndjekjes penale nga Prokuroria

Prokuroria ka hequr dorë nga ndjekja penale e nipit të kryetarit të BDI-së, Drin Ahmeti, në lidhje me mjetet piroteknike që iu kapën në mbrëmjen e 30 dhjetorit të vitit 2023, në veturën e tij Range Rover me targa të Shqipërisë, gjatë një kontrolli të policisë në Shkup.

Nga Prokuroria për Alsat, theksojnë se sipas raportit, fishekzjarrët që janë gjetur dhe marrë, nuk janë në sasi të madhe të cilat mund të iniciojnë ndjekje penale dhe përgjegjësi eventuale penale, ndërkaq në favor të asaj flet edhe fakti që Ministria e Punëve të Brendshme si organ përkatës për ngjarjen ka dorëzuar njoftim, dhe jo kallëzim penal deri në Prokurori.

“Gjatë procedurës është konstatuar se nuk janë të plotësuara veçoritë e veprës penale – Prodhim, mbajtje, ndërmjetësim dhe tregtim me armë dhe materie shpërthyese nga neni 396 i Kodit Penal, as çfarëdo vepre tjetër penale për të cilën, ndjekja ndërmerret sipas detyrës zyrtare”, njoftojnë nga Prokuroria Themelore Publike Shkup.

Megjithatë, Prokuroria, ka konstatuar se ekziston vetëm shkelje kundërvajtëse, për çka parashikohet gjobë prej 200 deri në 400 euro. Shkelja, ka të bëjë vetëm me mospasjen e lejes për transportin e mjeteve piroteknike. Prokuroria thekson se Ahmeti ka pasur faturë për blerjen e tyre nga dyqan i specializuar për shitjen e fishekzjarrëve, ndërkaq për ekzekutimin e fishekzjarrëve është angazhuar një person tjetër juridik.

“Eksperti ka kryer ekspertizë dhe analizë të mjeteve të konfiskuara piroteknike dhe ka konstatuar në detaje dhe në mënyrë të veçantë për çdo mjet se për çfarë prodhimi piroteknik bëhet fjalë. Sipas ekspertizës së kryer, në rastin konkret bëhet fjalë për 7 pushkaliqe dhe 15 kuti me raketa fishekzjarrësh, shkrepjet e të cilave janë evidentuar në mënyrë të veçantë, por në thelb janë të lidhura dhe paraqesin një tërësi”, thonë nga Prokuroria Themelore Publike Shkup.

Megjithatë, për Drin Ahmetin vazhdon hetimi tjetër. Konkretisht, për rastin me të cilin u bë i njohur në opinion gjatë vitit 2023, pasi u zbulua se ishte pronar i 39% të aksioneve të Qendrës Tregtare Soravia në Shkup. Pavarësisht se kostoja e aksioneve kushton disa miliona euro, Drin Ahmeti u sqarua para opinionit se ai këto aksione i kishte marrë pa investuar asnjë qindarkë. Sqarimi i tij, ishte se së bashku me biznes-partnerin e tij nga Shqipëria, Vladimir Pjetër Gjoka, e kanë blerë Soravian nëpërmjet linjës kreditore të bazuar në idenë e biznesit, të cilën banka ia ka besuar. Prokuroria vazhdon ta hetojë rastin. Për Alsat, theksojnë se shumica e dokumentacionit është siguruar dhe analizuar dhe pritet analiza e një pjese të dokumentacionit. Ndërmerren edhe veprime tjera parahetuese, është kërkuar ndihmë juridike nga SHBA për të konstatuar fakte të caktuara relevante, ndërkaq autoritetet amerikanë kanë kërkuar të dhëna shtesë nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, të cilat janë dorëzuar. /Alsat.mk