Bastisje tek 24 persona në Shkup, padi për vepra të rënda kriminale për 18 persona
Disa orë pas realizimit të aksionit të madh policor ndaj dhjetëra personave në rajonin e Çairit, Haraçinës dhe Velesit, ka dalë me informacion ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski. Sipas tij, ky aksion policor është realizuar në bashkëpunim me sektorin për luftë kundër krimit të organizuar dhe policisë kriminalistike dhe policisë për operacione specialistike policore. Nën urdhrin e Prokurorisë Publike ka realizuar aksion policor ku është shpërbërë një grup kriminalistik prej 18 personave, të cilët një kohë të gjatë kanë qenë të involvuar në kryerjen e veprave të rënda kriminale.
“Për rastin e dytë, që është realizuar mbrëmë, MPB-ja ka kryer bastisje tek 24 persona në gjithsej 30 lokacione, nga të cilat 28 në rajonin e Shkupit dhe dy në Veles. Deri më tani janë gjetur armë, mbi 30 milionë denarë, 5 automjete janë konfiskuar, etj. Bastisjet janë duke u kryer edhe tani dhe janë duke vazhduar. 18 personave në fjalë u është lëshuar padi për disa vepra të rënda kriminale, siç janë vrasje dhe tentim vrasje, të cilat janë kryer gjatë viteve të fundit, duke përfshirë edhe rastin në “Shisha Bar”. Gjatë vitit 2020 të njëjtit kanë krijuar grupacion për kryerjen e vrasjeve, ku organizatorët kanë sjellë vendin se ku, kush dhe si të kryhen veprat. Organizatorët kanë kryer disa vrasje dhe tentim vrasje, si dhe vendosjen e zjarrit në disa bastore.”, – deklaroi ministri i MPB-së, Pançe Toshkovski.
Provat e mbledhura i referohen edhe një ngjarjeje kriminale të vitit 2016, kur i dyshuari i parë së bashku me dy persona të tjerë kanë kryer një vrasje në Hasanbeg. Për pjesëtarët e grupit janë caktuar edhe masa paraburgimi prej 30 ditëve. Prokurori publik kompetent, duke vlerësuar se janë plotësuar kushtet për katër të privuarit nga liria, do t’i dorëzojë gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale – Shkup propozim për caktimin e masës së paraburgimit, ndërsa tre nga të dyshuarit janë në vuajtje të dënimit me burgim dhe dy persona janë në paraburgim për krime nga ngjarje të tjera penale.