BallinaMaqedoni

Publikohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, gjuha shqipe as shfuqizohet, as ndalohet! (Dokument)

Në raportin e gjykatësit raportues, i cili do të diskutohet para gjyqtarëve kushtetues të mërkurën, e në të cilin “360 gradë” pati qasje, jo vetëm që nuk propozohet nisja e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për përdorimin e gjuhëve në tërësi, por argumentohet se ai është i bazuar në Kushtetutë.

Ajo për të cilën propozohet nisja e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë janë formulime të përgjithshme në disa nene të ligjit, si dhe dy dispozita konkrete – për simbolet në paratë dhe për zhvillimin e proceseve gjyqësore. Nenet ose pjesët e tyre për të cilat propozohet vlerësimi i kushtetutshmërisë janë gjithashtu pjesë e vërejtjeve të Komisionit të Venecias në opinionin e tij për ligjin nga viti 2019.

Nga BDI-ja, të cilët tani janë “rojtarë” para Gjykatës Kushtetuese, para se të miratohej ligji pretendonin se janë dakord që në të të përfshihen vërejtjet e Komisionit të Venecias.

“Gjykata të mos nisë procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për përdorimin e gjuhëve.” Kjo është rekomandimi në raportin e gjykatësit raportues lidhur me gjithsej 13 iniciativa të paraqitura për Ligjin për përdorimin e gjuhëve që hyri në fuqi në vitin 2019 dhe për të cilin të mërkurën do të vendosë Gjykata Kushtetuese.

Pse të mos nisë procedura? Sipas referatit, të cilin e përgatit një gjyqtar kushtetues, arsyeja është se Ligji për përdorimin e gjuhëve është i bazuar në Kushtetutë.
“Përmbajtja e Ligjit të kontestuar për përdorimin e gjuhëve në tërësi ka bazën dhe arsyetimin e saj kushtetues në amendamentin V të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Prandaj, konsiderojmë se nuk mund të vihet në dyshim kushtetutshmëria e tij as në raport me këtë amendament, as me nenin 51 paragrafët 1 dhe 2, nenin 8 paragrafi 1, siç përmendet në nismat,”
thuhet në referat.

Kjo do të thotë se të mërkurën nuk do të nisë procedura për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit në tërësi. Dhe jo vetëm kaq. Nuk do të ndalet as zbatimi i ligjit përmes miratimit të ashtuquajturës masë e përkohshme./360gradë