Absurdi i BE-së: Kosova viktimë e sulmeve terroriste, por me sanksione
Edhe sulmin në Banjskë në vjeshtën e vitit 2023, edhe sulmin në kanalin e Ibër Lepencit, BE-ja i ka quajtur terroriste. Kështu ka thënë përfaqësuesi i lartë për të dyja ngjarjet, e ai ka folur në emër të BE-së. Por përveç thirrjeve që përgjegjësit të nxirren para drejtësisë, BE -ja nuk ka bërë asgjë, as këto thirrje nuk kanë qenë serioze. Mund të paramendohet se si do të sillej Serbia sikur Kosova të mos kishte aq shumë dëshmi për sulmin në Banjskë
Nga Augustin PALOKAJ
Dëmtimi i kanalit të Ibër Lepencit në një sulm terrorist që e kanë dënuar nga shumë adresa ka ndodhur pikërisht në ditën kur në BE ndodhi pranim-dorëzimi mes strukturave të vjetra dhe atyre të reja. E shtuna e 30 nëntorit ishte dita e fundit formale e mandatit të Komisionit të vjetër Evropian, e presidentit të Këshillit Evropian dhe përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri. Ndërsa e diela e 1 dhjetorit ishte dita e parë e punës për pasardhësit e tyre. Kjo mund të ketë qenë edhe arsyeja se pse nga BE-ja u prit deri në orët e vona të pasdites të së shtunës për të dalë me prononcim për këtë sulm. Apo BE-ja për reagim ka pritur që të konsultohet me përfaqësuesit e saj në terren, me vendet anëtare dhe me misionet e tjera ndërkombëtare, në mënyrë që të mos bëjnë deklarime të nxituara. Dhe kur doli deklarata, ajo ishte shumë e qartë. E tha në emër të BE-së Josep Borrell në ditën e fundit të mandatit të tij si përfaqësues i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri. E quajti këtë sulm terrorist, sepse pa marrë parasysh kush dhe me çfarë qëllimesh e ka bërë, nuk mund të quhet ndryshe një shkatërrim i infrastrukturës ujore.
Për më tepër sulmet e tilla, që mund të kenë për qëllim ndaljen e ujit të pijshëm për qytetarët, mund të konsiderohen dhe si krim kundër njerëzimit. Nëpër gjykime për krime lufte shpesh janë përfshirë edhe sulmet e tilla si krime të rënda kundër njerëzimit.
Për Borrellin ndoshta ishte simbolikë e pafat, por edhe dëshmi e realitetit, fakti se në ditën e fundit iu desh të flasë për një sulm terrorist në Kosovë. Kjo ishte edhe dëshmi e dështimit të madh të tij dhe të gjithë nëpunësve, më së shumti të dërguarit të posaçëm Miroslav Lajçak, në procesin e dialogut që thuhet se ka për qëllim normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Pas pesë vjetësh përpjekjeje të Borrellit dhe Lajçakut, raportet mes Kosovës dhe Serbisë janë më pak normale. Ato janë për me tepër armiqësore. Dhe nuk është ekzagjerim të thuhet se tensionet në raporte kanë potencial të shpërthimit të luftës. Se sa jonormale janë raportet, Lajkçak, i cili e flet rrjedhshëm gjuhën serbe, mund të kuptojë nëse dëgjon konferencën për shtyp të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Të dëgjoj se me çfarë epitetesh ai flet për Kosovën, nga “e ashtuquajtura Kosovë” deri tek “okupatorët”. Këto fjalë janë të qëllimshme dhe kanë për qëllim të nxisin serbët kundër Kosovës dhe të legjitimojnë sulmet ndaj organeve të Kosovës. Ndërsa për serbët në institucione të Kosovës tha se janë “tradhtarë”. Ndërsa i fyu rëndë edhe zyrtarët perëndimorë. Kaq për suksesin e dialogut, për Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve.
Jo që nuk ka pasur përmirësim në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, por ka pasur keqësim të madh të këtyre raporteve. Mund të fajësojnë palët në dialog, dhe mund të kenë të drejtë, por me këtë nuk e zhbëjnë dështimin e tyre në procesin e dialogut. Lajçak dhe Borrell nuk kanë qenë të paanshëm në dialog dhe kanë qenë shumë më kritikë ndaj Kosovës sesa ndaj Serbisë. Nuk kanë qenë në favor as të masave ndaj Serbisë as kur vetë kanë pasur dëshmi se janë identifikuar përgjegjësit për akte të dhunës, dhe është vërtetuar se ata janë në Serbi. Nëse për dëshmi për sulmin në Ibër-Lepenc duhet pritur, dëshmitë se kush e ka bërë sulmin terrorist në Banjskë nuk ka aspak dyshim, dihet kush e ka bërë dhe ku ndodhen. Dihet, po ashtu, edhe kush ishin ata që sulmuan ushtarët e KFOR-it dhe mediat në ngjarjet e dhunshme të muajit maj të vitit 2023.
Edhe sulmin në Banjskë në vjeshtën e vitit 2023, edhe sulmin në kanalin Ibër-Lepenc, BE-ja i ka quajtur terroriste. Kështu ka thënë përfaqësuesi i lartë për të dyja ngjarjet, e ai ka folur në emër të BE-së. Por përveç thirrjeve që përgjegjësit të nxirren para drejtësisë, BE-ja nuk ka bërë asgjë, as këto thirrje nuk kanë qenë serioze.
Mund të paramendohet se si do të sillej Serbia sikur Kosova të mos kishte aq shumë dëshmi për sulmin në Banjskë. BE-ja dhe NATO-ja duhet të ndajnë çështjet e sigurisë nga kalkulimet politike, sepse duke pranuar që të bëhen lojëra politike me veriun e Kosovës dhe në veri të Kosovës, e vënë në rrezik edhe jetën e qytetarëve, edhe infrastrukturën, por edhe personelin që punon për praninë e këtyre dy organizatave në terren. Për Banjskën, BE-ja dhe SHBA-ja kanë bërë çmos që Serbia të mos ketë pasoja politike, dhe mosndëshkimi i kryerësve të sulmeve paraqet rrezik për sigurinë e Kosovës dhe për tërë rajonin. Kjo qasje duhet të ndryshohet.
Bashkimi Evropian gjithmonë ka tërhequr vërejtjen për situatën në veri të Kosovës duke bërë thirrje që të ruhet qetësia dhe të mos bëhen hapa të njëanshëm. Por fajtore për këtë në të shumtën e rasteve e ka konsideruar Kosovën, ndërkohë që ka bërë gjithçka që Serbia të mos ketë pasoja. Kështu ka qenë edhe pas sulmeve ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve. Për më tepër, Milan Radoiçiq e ka marrë përsipër përgjegjësinë për këtë sulm, ai ndodhet i lirë në Serbi, e BE-ja vetëm ka përsëritur thirrjet që “kryerësit të nxirren para drejtësisë”, por nuk ka dashur të marrë asnjëherë masa ndaj Serbisë, edhe pse ka konstatuar se Serbia nuk ka bërë hapat e duhur për të nxjerrë para drejtësisë kryerësit e sulmit në Banjskë. Edhe në raportet e fundit të Progresit konstatohet se Serbia nuk ka bërë hapat e duhur për të nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin e Banjskës.
Për më tepër, BE-ja akoma mban masat ndëshkuese ndaj Kosovës dhe nuk e ka ndërmend t’i heqë. Ky është absurdi i BE-së, e cila pranon se Kosova është viktimë e sulmeve terroriste, i ofron ndihmë, por i mban sanksionet ndaj saj. Ndërkohë për Serbinë shumica e madhe e Bashkimit Evropian bëjnë presion ndaj disa vendeve anëtare që të lejojnë avancimin e saj në procesin e negociatave të anëtarësimit, pas tre vjetësh, sa këto negociata janë pothuajse të ngrira praktikisht.
(Marrë nga Koha.net)