Maqedoni

Mucunski-Sheqerinska: Maqedonia e Veriut është e përkushtuar për qëllimet dhe vlerat e përbashkëta të NATO-s

Ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski realizoi takim me zëvendëssekretaren e re të përgjithshme të NATO-s, Radmilla Sheqerinska.

Siç informojnë nga MPJ, Mucunski e ka uruar për zgjedhjen në këtë post të lartë dhe të rëndësishëm, që është mirënjohje për angazhimin e saj të mëparshëm dhe konfirmim i reputacionit ndërkombëtar të Republikës së Maqedonisë së Veriut si anëtare aktive dhe e përkushtuar e NATO-s.

“Ministri shprehu besimin se roli i saj do të kontribuojë në forcimin e mëtejshëm të Aleancës dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet vendeve anëtare.

Ai konfirmoi përkushtimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për qëllimet dhe vlerat e përbashkëta të NATO-s, duke theksuar se vendi do të vazhdojë të japë kontribut aktiv për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë”, njoftojnë nga MPJ.

Sheqerinska do të zëvendësojë Zëvendës Sekretarin e Përgjithshëm në detyrë Boris Ruge, i cili mori detyrën në mënyrë të përkohshme më parë këtë vjeshtë pas dorëheqjes së zëvendëssekretarit të përgjithshëm Mirçea Ioana për të kandiduar në zgjedhjet presidenciale të Rumanisë këtë muaj.

Sheqerinska do të marrë pozitën para fundit të këtij viti.