Lajmet e reja

Fetai: Me partnerë si SHBA do të ndërtojmë institucione të forta

Sot pata nderin t’i bashkohem Ambasadores së SHBA-ve, znj. Angela Aggeler, në një konferencë rajonale të organizuar nga Ambasada Amerikane në Shkup, për të diskutuar një nga çështjet më të rëndësishme për Ballkanin Perëndimor: luftën kundër korrupsionit. Kjo ngjarje është një mesazh i fuqishëm se transparenca, llogaridhënia dhe shteti i së drejtës mbeten prioritete të përbashkëta për të gjithë ne.

Korrupsioni është një pengesë madhore për drejtësinë, zhvillimin dhe barazinë në çdo shoqëri. Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka ndërmarrë hapa konkretë për të forcuar mekanizmat kundër epidemisë së korrupsionit, përfshirë auditimet sistematike, ndryshimet ligjore dhe rritjen e bashkëpunimit me institucionet relevante. Angazhimi ynë është i qartë: askush nuk është mbi ligjin.

Kjo betejë kërkon përkushtim të gjithanshëm, nga qeveritë dhe qytetarët. Me mbështetjen e partnerëve si SHBA dhe vullnetin tonë të palëkundur, do të ndërtojmë institucione të forta dhe një shoqëri të bazuar në integritet dhe drejtësi. Së bashku, mund të arrijmë ndryshimin që meritojnë qytetarët tanë.