Lajmet e reja

Ndalen autobusët në Shkup, s’ka naftë, do të qarkullojnë vetëm 25 me gaz

Prej sot në Shkup nuk do të qarkullojnë autobusët e transport publik për shkak se nuk ka naftë për autobusët. NTP “Shkup” i ka borxh firmës furnizuese “Pucko petrol” dhe për këtë shkak nuk porositet më naftë. Do të mund të lëvizin vetëm autobusët me gaz, gjegjësisht vetëm 25 prej tyre.

Punëtorët e NTP-së thonë për “SDK” se autobusët tashmë kanë filluar të shkëputen nga qarkullimi për shkak se nëpër baza nuk ka naftë.

“Të hënën ka pasur një dërgesë të vogël, por borxhi nuk është paguar dhe nafta nuk po sillet më në bazat në Avtokomandë dhe Gjorçe Petrov”, thonë punonjës të kompanisë.

Nga qyteti i Shkupit apo ndërmarrja nuk ka njoftim se qyteti do të mbetet pa transport dhe se qytetarët do të duhet të gjenden disi të kthehen në shtëpi nga vendet e punës dhe shkollat.

Një përdorues i Twitter-it ka shkruar sot pasdite se njerëzit nga Shkupi presin autobus me orë të tëra në kompleksin e bankave.

Përdoruesi i Twitterit Mirçev ka shpërndarë një fotografi nga profili i tij se si duket përditshmëria e qytetarëve të Shkupit para stacioneve të autobusëve. Ajo që shihet në fotografi është dhjetëra njerëz që presin të mbërrijë ndonjë autobus i NTP-së.

“Aktualisht NTP është në kolaps, nga 100 njerëz nëpër stacione, ndërsa autobus nuk ka as për ilaçe, ja, po pres 5-ën prej gjysmë ore… Erdhi një i mbushur plot”, ka shkruar ai.