Mexhiti: Tuneli në rrugën Tetovë-Prizren do të jetë pak më i gjatë se tuneli i Kalimashit në Shqipëri
Të hënën Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut, mbledhjen e parë jashtë kufijve do ta mbajë në Prishtinë, përkatësisht mbledhje ndërqeveritare me Qeverinë e Kosovës të drejtuar nga kryeministri Albin Kurti.
Zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti në një paraqitje televizive tha se mbledhja e përbashkët do të jetë e frytshme ku si pikë e parë e mbledhjes do të jetë rregullimi i sistemit në kufijtë Bllacë dhe Jazhincë, Shkup-Tetovë, të cilat sipas tij janë pika tejet të rëndësishme për lëvizjen e qytetarëve në dy shtete, transmeton Klan Kosova.
Kurse pika e dytë e diskutimit sipas tij do jetë për bashkëpunimin në sferën e energjetikës për të ndihmuar njëri tjetrin në rastet kur ka nevojë.
Siç transmeton portali Lideri.mk, pika e tretë Mexhiti ka të bëjë me rrugën Tetovë – Prizren.
“Së shpejti do të hapet tenderi i tunelit i cili është 6.2 kilometra pak më i gjatë se tuneli i Kalimashit në Shqipëri dhe më i gjati në rajon. Përveç këtyre tre pikave do të ketë edhe pika të tjera të cilat në interes të dy shteteve dhe qytetarëve”, tha Mexhiti.
“Përndryshe, këto vendime janë edhe një dëshmi se Maqedonia e Veriut dëshiron të thellojë edhe më shumë bashkëpunimin me Republikën e Kosovës në shumë fusha, por edhe lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë”, thuhet në kumtesën drejtuar mediave nga Maqedonia e Veriut, transmeton Lideri.mk.
“Kosova dhe Maqedonia janë shembull se si dy shtete fqinje tregojnë marrëdhënie të mira dhe partneritet të mirë ekonomik dhe politik dhe ky shembull duhet të shërbejë edhe për vendet tjera të rajonit, në mënyrë që në Ballkan të ketë paqe të qëndrueshme”, shtohet tutje./Lideri