Çairi e Presheva po binjakëzohen
Sot kisha nderin të jem nikoqir i kryetares së Komunës së Preshevës, zonjës Ardita Sinanit dhe kryetarit e Kuvendit të Preshevës z.Sami Salihut me të cilët biseduam për shumë çështje që janë më interes të ndërsjellë për të dyja komunat, të Çairit dhe të Preshevës dhe mirëqenien e banorëve që jetojnë në to.
E informova zonjën Sinani se një numër mjaft i konsiderueshëm i banorëve të Komunës së Çairit kanë prejardhje pikërisht nga Presheva dhe rajoni i saj, por edhe se të njëjtët kanë familje atje dhe vazhdojnë të ruajnë ato lidhje familjare.
Rrjedhimisht, me zonjën Ardita Sinani u dakorduam që dy komunat që drejtojmë, ajo e Çairit dhe e Preshevës të fillojnë me procedurat e binjakëzimit, kështu që banorët e tyre do t’i sjellim edhe më afër njëri tjetrit, por edhe dy institucionet tona do të mund të bashkëpunojnë në shumë fusha që do të ndikonin drejtpërdrejt edhe në zhvillimin ekonomik lokal.