Lajmet e reja

Çfarë i duhet Shqipërisë sot?

Më shumë demokraci, më shumë shëndet, më shumë arsim, më shumë ushqim të përballueshëm dhe të shëndetshëm, dhe natyrisht siguri. Për të dalë nga kjo situatë na duhet të rishpërndajmë burimet dhe të ardhurat, por mbi të gjitha duhet të rishpërndajmë burimet e dijes dhe aftësive përmes arsimit. Pabarazitë e statusit social-ekonomik, e të ardhurave dhe mundësive të jetës, nuk zgjidhen me fushata, lëmoshë, e as me gjelin e detit të fundvitit. Ato duhet të përbëjnë boshtin e veprimit të një qeverisje që orientohet për nga vlerat e të majtës demokratike

Nga Ditmir BUSHATI

Para një viti ftova në pod castin tim “Public Square”, Arjan Gjonça, profesor në Shkollën Ekonomike të Londrës (LSE) dhe ekspert i Kombeve të Bashkuara për çështjet e popullimit dhe të arsimit, me të cilin diskutova për tri rreziqe që i kanosen shoqërisë shqiptare: I) skema e pensioneve; II) kujdesi shëndetësor; III) kujdesi shoqëror. Në të vërtetë, këto janë sfida për çdo shoqëri të përgjegjshme që respekton kontributin e prindërve duke hapur shtigjet e së ardhmes për fëmijët. Pasi, siç thotë me të drejtë Jacques Attali: “Nuk mund të jetojmë në kurriz të brezave të shkuar dhe atyre të ardhshëm. Të parëve ua hamë kontributin, të dytëve ua rrënojmë trashëgiminë”.

Është pozitiv fakti që qeveria e ka kthyer si temë dite skemën e pensioneve, sikundër fushatën komunikuese me sipërmarrjen për deklarimin real të pagave, çka ndihmon ekonominë dhe skemën e pensioneve. Mirëpo, në mënyrë që këto sfida të adresohen dhe të mos mbesin në nivelin e retorikës së ditës, nevojitet ballafaqimi me politikat e zbatuara deri tani, sikundër ndërmarrja e reformave rrënjësore. Shifrat tregojnë se reforma e skemës së pensioneve të vitit 2014 nuk dha efektin që pritej. Sepse nuk është zgjeruar baza e kontribuesve, shoqëria është plakur, dhe forca aktive e punës vijon të largohet nga vendi. Pensionistët e rinj në skemë në vitin 2023 kanë kontribuar mesatarisht vetëm 27 vite, ndërkohë në vitin 2013 pensionistët e rinj kontribuonin në skemë mesatarisht 31 vite.

Gjithashtu, mbështetja buxhetore e skemës së pensioneve ka rënë. Në vitin 2020 ajo ishte 1.96 % e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB), ndërsa në vitin 2023 vetëm 0.63% e PBB-së. Ndaj, mosdeklarimi apo nëndeklarimi i pagave nuk është i vetmi faktor që ka penguar rritjen e pensioneve.

Hendeku financiar mes asaj çka nevojitet dhe thellimit në kontribut nga paguesit e tanishëm nuk mund të mbushet pa zgjerimin e bazës me kontribues të rinj dhe pa mbështetje buxhetore, që vjen si pasojë e përcaktimit si prioritet nga ana e qeverisë. Skema e pensioneve nuk ‘shërohet’ dot vetëm nëpërmjet të ardhurave të grumbulluara nga kontribuesit e sigurimeve shoqërore. Pasi për shtesën 16 mijë – 18 mijë pensionistë në tregun e punës duhet të hyjnë 22 mijë – 23 mijë të punësuar.

Që të ketë kontribues të rinj ne duhet të pranojmë se skema e pensioneve është vetëm pika fundore e një sistemi që në thelb ka edhe dy elementë të tjerë po aq të rëndësishëm: kujdesin shëndetësor dhe mbrojtjen shoqërore. Këto elementë e kanë gjenezën tek mirëqeverisja dhe modeli ekonomik.

Pa rishikimin e modelit ekonomik të tanishëm, i cili mbështetet në “privatizimin e përfitimeve dhe shoqërizimin e riskut”, nuk mund të ketë as skemë pensionesh të qëndrueshme dhe as frenim të largimit të njerëzve nga vendi. Ekonomia shqiptare mbështetet kryesisht në degë si ndërtimi apo turizmi, që janë të përkohshme për mënyrën si duhet të zhvillohet vendi dhe nuk ofrojnë një perspektivë afatgjatë.

Ne na duhet një ekonomi me produktivitet të lartë, që bazohet tek dija, në mënyrë që të krijojë të ardhura më të mëdha dhe një shtresë të mesme të qëndrueshme. Pa arsim cilësor dhe dije është i pamundur produktiviteti i lartë.

Njëkohësisht, na duhet të nxisim degët e reja të zhvillimit që bazohen tek industria e gjelbër, të zhvillojmë burimet energjitike, burimet minerare për zhvillimin e industrisë së rëndë, dhe të orientojmë burimet njerëzore drejt degëve të reja. Gjithashtu, nevojiten politika aktive që formësojnë ekonominë e jetës. Pra, më shumë demokraci, më shumë shëndet, më shumë arsim, më shumë ushqim të përballueshëm dhe të shëndetshëm, dhe natyrisht siguri. Për të dalë nga kjo situatë na duhet të rishpërndajmë burimet dhe të ardhurat, por mbi të gjitha duhet të rishpërndajmë burimet e dijes dhe aftësive përmes arsimit. Pabarazitë e statusit social-ekonomik, e të ardhurave dhe mundësive të jetës, nuk zgjidhen me fushata, lëmoshë, e as me gjelin e detit të fundvitit. Ato duhet të përbëjnë boshtin e veprimit të një qeverisje që orientohet për nga vlerat e të majtës demokratike.